Sa rusë kanë vdekur në Ukrainë? Të dhënat tregojnë se çfarë fsheh Moska

11 korrik 2023 | 08:11

I pyetur nga Associated Press në lidhje me studimin e “Meduzas” dhe të “Mediazonas”, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë gjatë një konference me gazetarë se ai nuk ishte në dijeni pasi Kremlini e kishte “ndaluar monitorimin” e “Meduzas”. Peskov gjithashtu refuzoi të komentojë mbi numrin e vdekjeve të përmendura në studim, duke thënë vetëm se “Ministria e Mbrojtjes i jep numrat dhe ata janë të vetmit që kanë këtë prerogativë”

Afro 50 mijë burra rusë kanë vdekur në luftën në Ukrainë, sipas analizës së parë statistikore të pavarur për viktimat atje. Dy media ruse, “Mediazona” dhe “Meduza”, të cilat kanë bashkëpunuar me një shkencëtar të të dhënave nga Universiteti Tübingen i Gjermanisë, i kanë përdorur të dhënat e Qeverisë ruse për të hedhur dritë mbi një nga sekretet e Moskës – koston e vërtetë njerëzore të pushtimit të saj në Ukrainë.

Për ta bërë këtë u mbështetën në një koncept statistikor të popullarizuar gjatë pandemisë COVID-19, i quajtur vdekshmëria e tepërt. Gjetjet treguan se afro 50 mijë burra të moshës nën 50 vjeç vdiqën mes shkurtit 2022 dhe majit 2023. As Moska e as Kievi nuk japin të dhëna për humbjet ushtarake, dhe secila është në përpjekje për t’i shtuar viktimat e palës tjetër. Rusia e ka pranuar publikisht vdekjen e pak më shumë se 6 mijë ushtarëve.

Raportet për humbjet ushtarake janë fshehur në mediat ruse, thonë aktivistët dhe gazetarët e pavarur. Dokumentimi i të vdekurve është kthyer në një akt kundërshtimi; ata që e bëjnë këtë përballen me ngacmime dhe akuza të mundshme penale. Pavarësisht sfidave të tilla, “Mediazona” dhe Shërbimi Rus i BBC-së, duke punuar me një rrjet vullnetarësh, kanë përdorur postime në media sociale dhe fotografi të varrezave në të gjithë Rusinë për të ndërtuar një bazë të dhënash të vdekjeve të konfirmuara të luftës. Që nga 7 korriku, ata kishin identifikuar 27.423 ushtarë rusë të vrarë.

“Këta janë vetëm ushtarë që ne i njohim me emër dhe vdekjet e tyre në secilin rast verifikohen nga burime të shumta”, ka theksuar Dmitry Treshchanin, redaktor në “Mediazona” që ndihmoi në mbikëqyrjen e hetimit.

“Vlerësimi që bëmë me ‘Meduzan’ na lejon të shohim vdekjet ‘e fshehura’, vdekjet që Qeveria ruse po përpiqet të fshehë në mënyrë kaq obsesive dhe pa sukses”.

Saktësia e shifrave

Për të arritur në një raport më të plotë, gazetarët nga “Mediazona” dhe “Meduza” morën të dhënat e rasteve të trashëgimisë të paraqitura nga autoritetet ruse. Të dhënat e tyre nga Regjistri Kombëtar i Provave përmbajnë informacione për më shumë se 11 milionë njerëz që vdiqën midis vitit 2014 dhe majit 2023.

Sipas analizës së tyre, në vitin 2022 u hapën 25 mijë raste më shumë sesa pritej të trashëgimisë për meshkujt e moshës 15 deri në 49 vjeç. Deri më 27 maj 2023, numri i rasteve kishte shkuar në 47mijë.

Kjo rritje është afërsisht në përputhje me një vlerësim të majit nga Shtëpia e Bardhë se më shumë se 20 mijë rusë janë vrarë në Ukrainë që nga dhjetori, megjithëse numër më i ulët se vlerësimet e Inteligjencës së SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për vdekjet e përgjithshme ruse.

Në shkurt, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se rreth 40 mijë deri në 60 mijë rusë janë vrarë në luftë. Një vlerësim i kryer nga Agjencia e Inteligjencës Mbrojtëse e SHBA-së e vendos numrin e rusëve të vrarë në aksion në vitin e parë të luftës në 35 mijë deri në 43 mijë.

“Shifrat e tyre mund të jenë të sakta, ose mund të mos jenë”, ka thënë Treshchanin, redaktori i “Mediazona” në një email. “Edhe nëse ata kanë burime në Ministrinë e Mbrojtjes ruse, të dhënat e saj mund të jenë të paplota. Është jashtëzakonisht e vështirë të mblidhen së bashku të gjitha viktimat nga ushtria, Rosgvardia, batalioni Akhmat, kompani të ndryshme ushtarake private, nga të cilat “Wagner” është më i madhi, por jo i vetmi. Viktimat mes të burgosurve, të rekrutuar fillimisht nga “Wagner” dhe tani nga Ministria e Mbrojtjes, janë gjithashtu një temë shumë e mjegullt, me shumë potencial për manipulim. Statistikat në fakt mund të japin rezultate më të mira”.

Shumë vdekje ruse – si dhe amputimet – mund të ishin parandaluar me ndihmën e parë më të mirë në front, ka theksuar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një vlerësim të Inteligjencës të botuar të hënën. Rusia ka pësuar mesatarisht rreth 400 viktima në ditë për 17 muaj, duke krijuar një “krizë” në kujdesin mjekësor luftarak që ka të ngjarë të dëmtojë shërbimet mjekësore për civilët në rajonet kufitare pranë Ukrainës, tha ministria.

Roli i rastësisë në shifra

Në mënyrë të pavarur, Dmitry Kobak, shkencëtar i të dhënave nga Universiteti Tübingen i Gjermanisë, i cili ka publikuar punë mbi vdekjet e tepërta nga COVID-19 në Rusi, mori të dhëna të vdekshmërisë të ndara sipas moshës dhe gjinisë për vitin 2022 nga Rosstat, Agjencia zyrtare e Statistikave e Rusisë.

Ai zbuloi se 24 mijë burra nën moshën 50 vjeç vdiqën më 2022, shifër që përputhet me analizën e të dhënave të trashëgimisë.

Pandemia e COVID-19 e bëri më të vështirë për të kuptuar se sa burra do të kishin vdekur në Rusi që nga shkurti i vitit 2022 nëse nuk do të kishte pasur një luftë. Të dyja analizat korrigjuan për efektet e vazhdueshme të COVID-it në vdekshmëri duke indeksuar normat e vdekjeve të meshkujve kundrejt vdekjeve femra.

Sergei Scherbov, studiues në Institutin Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara në Austri, paralajmëroi se “ndryshimet në numrin e vdekjeve midis meshkujve dhe femrave mund të ndryshojnë ndjeshëm vetëm për shkak të rastësisë”.

“Unë nuk po them se nuk mund të ketë një numër të tepërt të vdekjeve të meshkujve, por, përkundrazi, që nga pikëpamja statistikore ky ndryshim në vdekje mund të jetë thjesht një rezultat i rastësisë”, ka theksuar ai.

Rusët që janë të zhdukur, por që nuk njihen zyrtarisht si të vdekur, si dhe qytetarët e Ukrainës që luftojnë në njësitë e republikave të vetëshpallura të Donetsk-ut dhe Luhansk-ut nuk përfshihen në këto statistika.

Kobak e ka pranuar se disa pasiguri mbeten, veçanërisht për vdekjet e burrave të moshuar. Për më tepër, është e vështirë të dihet se sa ushtarë rusë të zhdukur janë në të vërtetë të vdekur. Por ai tha se asnjë faktor nuk ka të ngjarë të ketë ndikim të madh.

“Kjo pasiguri është në mijëra njerëz”, ka sqaruar ai. “Mirëpo rezultatet janë të besueshme në përgjithësi”.

I pyetur nga Associated Press në lidhje me studimin e “Meduzas” dhe të “Mediazonas”, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë gjatë një konference me gazetarë se ai nuk ishte në dijeni pasi Kremlini e kishte “ndaluar monitorimin” e “Meduzës”. Peskov gjithashtu refuzoi të komentojë mbi numrin e vdekjeve të përmendura në studim, duke thënë vetëm se “Ministria e Mbrojtjes i jep numrat, dhe ata janë të vetmit që kanë këtë prerogativë”.

“Meduza” është një medie e pavarur ruse që vepron në mërgim për tetë vjet, me seli në Riga, Letoni. Në prill të vitit 2021, autoritetet ruse e cilësuan “Meduzën” “agjent të huaj”, duke e bërë më të vështirë gjenerimin e të ardhurave nga reklamat, dhe në janar të vitit 2023 Kremlini e ndaloi “Meduzën” si një “organizatë të padëshirueshme” e të paligjshme.

Moska e ka etiketuar gjithashtu median e pavarur “Mediazona” si një “agjent të huaj” dhe ka bllokuar faqen e saj të internetit pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. / AP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër…