Sami Lushtaku: Kosova ka nevojë për qeveri stabile

18 shtator 2020 | 14:47

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Skenderja, Sami Lushtaku, ka thënë se vendi ynë ka para vetës sfida të mëdha.

Ai ka theksuar se menaxhimi i pandemisë Covid-19, dialogu me Serbinë dhe zhvillimet që lidhen me Gjykatën Speciale, kanë nevojë për qeveri të qëndrueshme e cila përbëhet nga shumica e kualifikuar, me qëllim që vendimmarrja karshi këtyre sfidave të jetë e lehtë.

“Ekonomia dhe qytetarët e Kosovës presin dorën e shtetit në këtë kohë të krizës. Mosvotimi i ligjeve që mundësojnë tërheqjen e shumës prej 10 për qind nga trusti nuk i është dashur askujt. Edhe mosvotimi i mëhershëm i ligjit për vlerat e luftës ka qenë gabim i rëndë i qeverisë. Pastaj, mosvotimi i një pakoje të gjerë emergjente për inate ndërmjet pozitës dhe opozitës dëmton direkt qytetarin e Kosovës”, ka shkruar Lushtaku në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se qytetarët dhe ekonomia jonë kanë nevojë për stimuj që sadopak ndihmojnë për ta kaluar sa më lehtë këtë situatë.

“Dialogu me Serbinë duhet të marr epilog. Është tema më e lodhshme dhe më e rënda që prej pasluftës e tutje. Ky dialog duhet të përfundojë me njohje reciproke. Por edhe në këtë proces nevojitet konsensus i plotë pozitë dhe opozitë. Është qasje e gabuar që kushdo që udhëheq dialogun dhe bënë marrëveshje, të kritikohet e të etiketohet si ‘tradhtar’. Në vend të kritikave, duhet të bëhet bashkë pozita dhe opozita, sidomos PDK-ja, e cila duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha sepse ka përvojë dhe kapacitete për të qenë pjesë e këtyre proceseve”, ka thënë ai.

Lushtaku ka pohuar se Kosova ka nevojë për stabilitet politik. “Nuk na duhen inate e protagonizëm. Na duhet qeveri që ruan dhe afirmon miqësinë me ShBA-të. Na duhet qeveri vendimmarrëse që ju jep përgjigje meritore këtyre sfidave që i kemi para nesh”, ka deklaruar Lushtaku.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se kampionati i…