SBAShK-u: Nesër grevë dyorëshe në të gjitha institucionet arsimore

19 shkurt 11:40

Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) nëpërmjet një komunikate për medie ka bërë me dije se nesër (e martë) do të ketë grevë dyorëshe në të gjitha institucionet arsimore.

“E marta e 20 shkurtit do të gjejë tërë arsimin e Kosovës në grevën dyorëshe. Greva do të mbahet  në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse universitetet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në orën 12”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.

Ky vendim sipas SBAShK-ut, ka ardhur duke pas parasysh se pas grevës njëorëshe në tërë sistemin arsimor, kishte reflektim të pamjaftueshëm të Qeverisë së Kosovës ndaj kërkesave të punësuarve në arsimin e Kosovës.

SBAShK-u ka bërë me dije se do të vazhdojë me veprimet sindikale, ashtu si është vendosur në mbledhjen e jashtëzakonshme  të Këshillit Drejtues.

“Këshillat greviste, që janë formuar me kohë, në shkolla e njësi akademike do të kujdesën për mirëvajtjen e grevës dyorëshe dhe do t’i mbajnë të informuar këshillat greviste komunale, gjegjësisht këshillin grevist të universiteteve, kurse këta Këshilla do të jenë në komunikim me Këshillin Qendror grevist që është në selinë e SBAShK-ut”, është theksuar me tutje në këtë komunikatë.

SBAShK-u u ka bërë thirrje prindërve dhe nxënësve që për hir të sigurisë së nxënësve  të mos nisen për në shkolla gjatë kohës sa zgjatë greva.

“Por të jenë në institucionet shkollore për të nisur mësimin në orën e tretë sipas orarit. Ju kujtojmë se kur ka grevë nuk ka mësim”, është thënë në komunikatën e SBAShK-ut.

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Princ Leka ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë,…