Scholzi niset për Moskë, bën përpjekje për ta shmangur luftën

15 shkurt 2022 | 08:31

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, niset të martën drejt Moskës për t’u takuar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një mision të rëndësishëm për ta shmangur luftën. Partnerja më e madhe tregtare e Rusisë në Evropë ka paralajmëruar sanksione të mëdha, nëse Rusia e sulmon Ukrainën.

Udhëtimi njëditor i kancelarit gjerman, që vjen pas vizitës në Kiev të Ukrainës, është pjesë e diplomacisë së furishme të Perëndimit në përpjekje për ta ndaluar sulmin e mundshëm, kur mbi 100.000 trupa ruse ndodhen afër kufirit të Ukrainës.

Kancelari ka thënë se do ta përçojë mesazhin e Perëndimit se ata janë të hapur për dialog rreth shqetësimeve të Rusisë për sigurinë, por do të vendosin sanksione, nëse ajo e pushton Ukrainën, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Muajin e kaluar, Scholz-i tha se “gjithçka do të duhet të diskutohet, nëse ka ndërhyrje ushtarake”, kur u pyet rreth gazsjellësit “Nord Stream 2”, që e lidh Rusinë me Gjermaninë dhe me të cilin synohet dërgimi i më shumë gazi rus në Evropën Perëndimore, duke e anashkaluar Ukrainën si territor transit.

Megjithatë, ai nuk është zotuar se do t’i jepet fund këtij projekti ose edhe t’ia përmend emrin në lidhje me sanksionet, ndryshe nga Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, i cili të hënën e kaluar tha se ky gazsjellës do të ndërpritet, nëse Rusia sulmon.

Kancelari gjerman, i cili erdhi në pushtet në dhjetor, është përballur me kritika për profilin e tij të ulët gjatë krizës për Ukrainën, duke dalluar shumë nga paraardhësja, Angela Merkel, dhe politikat e saj gjatë aneksimit të Krimesë më 2014. Presidenti francez, Emmanuel Macron, po e udhëheq Evropën në këtë krizë, duke e vizituar Moskën javën e kaluar dhe duke biseduar me homologun rus në telefon rregullisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“E Liga e Kampionëve rikthehet pas një pauze të gjatë…