Seanca e ftuar nga opozita, absurde

03 shtator 2018 | 15:35

Këshilltari i kryeparlamentarit Kadri Veselit dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci, e ka kundërshtuar seancën e jashtëzakonshme parlamentare të opozitës, e cila do të mbahet të martën, duke e cilësuar atë absurde. Ai ka thënë se këtë seancë opozita nuk e ka ftuar që të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi dhe arritjen e një konsensusi nacional për këtë çështje, por për të diskutuar për ndarjen e Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se në këtë mënyrë opozita po e legjitimon ndarjen e Kosovës. “Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare është absurde. Ajo nuk është ftuar që aty të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi, që aty të diskutohet për krijimin e një konsensusi nacional për një çështje kaq të rëndësishme, që aty të diskutohet se si të krijohet një platformë e përbashkët dhe se si të dalë sa më e fuqishme Kosova në këtë përballje të fundit me Serbinë. Kjo seancë, për fat të keq, është ftuar nga opozita që aty të flitet për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Stavileci.

Ai ka deklaruar se PDK-ja do të marrë pjesë në këtë seancë dhe aty do ta shprehë qëndrimin e vet. “Është e pafalshme për opozitën që ta shtrojë për debat ndarjen e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, pra ta legjitimojë këtë temë, kur kjo çështje as nuk është temë e dialogut, as nuk ka qëllime të tilla dhe as nuk lejohet me Kushtetutë. Por, gjithsesi, Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për datën 4 shtator dhe aty do t’i shprehë qëndrimet e veta”, është shprehur ai.

Sipas anëtarit të Kryesisë së PDK-së, është e panevojshme të nxjerrë Kuvendi rezolutë për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës kur atë e mbron Kushtetuta e vendit. “Është krejtësisht e panevojshme që të nxirret një rezolutë – me të cilën do të kërkohet mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, kur kjo çështje është e përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, them se është absurde thirrja e kësaj seance të jashtëzakonshme, për shkak të temës që do ta trajtojë”, është shprehur Stavileci, duke shtuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta thotë fjalën e fundit për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi. “Kjo është e qartë dhe është thënë vazhdimisht nga PDK-ja dhe kryetari Kadri Veseli. Por, Kuvendi i Kosovës do të duhej ta miratonte një rezolutë gjithëpërfshirëse, e cila mbështet dialogun dhe shpreh qëllimet e Kosovës në këtë proces të rëndësishëm”, ka thënë Stavileci.

“Epoka e re”: Z. Stavileci, opozita ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për dialogun me Serbinë. Cili është qëndrimi i PDK-së për këtë seancë?
Stavileci: Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga partitë opozitare është absurde. Ajo nuk është ftuar që aty të diskutohet për dialogun Kosovë – Serbi, që aty të diskutohet për krijimin e një konsensusi nacional për një çështje kaq të rëndësishme, që aty të diskutohet se si të krijohet një platformë e përbashkët dhe se si të dalë sa më e fuqishme Kosova në këtë përballje të fundit me Serbinë. Kjo seancë, për fat të keq, është ftuar nga opozita që aty të flitet për ndarjen e Kosovës. Është e pafalshme për opozitën që ta shtrojë për debat ndarjen e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, pra ta legjitimojë këtë temë, kur kjo çështje as nuk është temë e dialogut, as nuk ka qëllime të tilla dhe as nuk lejohet me Kushtetutë. Por, gjithsesi, Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për datën 4 shtator dhe aty do t’i shprehë qëndrimet e veta.

“Epoka e re”: Në këtë seancë opozita dëshiron ta nxjerrë një rezolutë përmes së cilës do të kërkohet mbrojtja e integritetit territorial të vendit. Do ta përkrahë PDK-ja miratimin e kësaj rezolute?
Stavileci: Është krejtësisht e panevojshme të nxirret një rezolutë – me të cilën do të kërkohet mbrojtja e integritetit territorial të Kosovës, kur kjo çështje është e përcaktuar qartë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, them se është absurde thirrja e kësaj seance të jashtëzakonshme për shkak të temës që do ta trajtojë. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet ta thotë fjalën e fundit për fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi. Kjo është e qartë dhe është thënë vazhdimisht nga PDK-ja dhe kryetari Kadri Veseli. Por, Kuvendi i Kosovës do të duhej ta miratonte një rezolutë gjithëpërfshirëse, e cila mbështet dialogun dhe shpreh qëllimet e Kosovës në këtë proces të rëndësishëm.
Dialogu Kosovë – Serbi duhet të ndodhë në mënyrë që finalja e këtij procesi ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, njohjen reciproke si dy shtete të pavarura dhe sovrane, si dhe hapjen e rrugës për anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE. Këto qëllime do të duhej ta bashkonin gjithë spektrin politik kosovar. Në vend se të diskutohet për ndarjen e Kosovës, siç po kërkon opozita, në Kuvendin e Kosovës do të duhej të diskutohej për platformën e përbashkët për dialogun. Opozita duhet ta thotë hapur nëse është për apo kundër dialogut. Opozita duhet ta thotë hapur nëse është për apo kundër njohjes së Kosovës nga Serbia, ulëses së Kosovës në OKB dhe përshpejtimit të integrimeve euroatlantike?

“Epoka e re”: Liderët e koalicionit qeverisës janë takuar disa herë me presidentin e vendit për të diskutuar rreth kësaj çështje. A është arritur që koalicioni ta ketë një qëndrim unik në lidhje me idenë e presidentit të vendit për korrigjim të kufijve me Serbinë?
Stavileci: Qëndrimi i institucioneve të Kosovës është i qartë. Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, prej fillimit, ka qenë i qartë: Kosova nuk negocion për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. Ky qëndrim është shprehur edhe në dokumentin bazë për dialogun, të hartuar nga PDK-ja dhe kryetari Kadri Veseli. Ky dokument u është dërguar të gjithë liderëve, përfshirë edhe atyre opozitarë, me kërkesë për ta shikuar dhe plotësuar së bashku, në takime që kanë pasur synim arritjen e konsensusit nacional. Por, po e them, në vend të konsensusit, opozita ka zgjedhur ndarjen e spektrit politik, duke ngritur tema të paqena – siç është ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve. Dhe, krejt këtë është duke e bërë për përfitime të veta politike. Nuk është e ndershme.

“Epoka e re”: Çfarë nëse qëndrimi i PDK-së në seancën për këtë çështje nuk do të jetë i njëjtë me partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës. Mund ta lëvizë kjo koalicionin?
Stavileci: Partia Demokratike e Kosovës nuk ka qëndrim tjetër përpos atij të shprehur tash e sa kohë: Kosova nuk negocion për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin e vet territorial. Nuk ka ndonjë qëndrim tjetër, pos këtij, as te partnerët e koalicionit. Përveç opozitës, askush tjetër nuk është duke folur përtej kësaj.

“Epoka e re”: PDK-ja po e përkrah presidentin në idenë e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë, përmes të cilit synohet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Sa besoni se kjo është e mundshme?
Stavileci: Kërkesa e Luginës së Preshevës për bashkim me Kosovën, e shprehur në referendumin e atjeshëm, është legjitime. PDK-ja do të ishte e lumtur, nëse në fund të këtij procesi negociator ajo t’i bashkohej Kosovës.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes sot në konference për medie…