Seanca e Kuvendit, hyn në rend dite Ligji për Specialen
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka propozuar mocion procedural për ndryshimin e rendit të ditës së seancës së sotme parlamentare, duke kërkuar futjen në rend dite të miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së ka thënë se ka kërkuar që ligji të kthehet sërish në Kuvend, pasi janë dhënë “disa këshilla dhe rekomandime të cilat ne besojmë se ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht”.
“Në emër të Partisë Demokratike të Kosovës propozoj mocionin procedural për ndryshimin e rendit të ditës, për të përfshirë edhe ligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se këtë vendim e kanë marrë me vetëdijen se do t’u kushtojë politikisht.
“Për ne qëllimi është më i rëndësishëm sesa dëmi”, ka thënë ajo.
Çitaku ka thënë se mocioni dhe ligji duhet të miratohen sot.
“Menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit”, ka thënë ajo.
Ky mocion ka marrë mbështetjen e 79 deputetëve, të cilët kanë vendosur që Ligji për Specialen të trajtohet sot në Kuvendin e Kosovës.



