Seanca statusore e Speciales ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit e Selimit mbahet të mërkurën

16 nëntor 2020 | 14:35

Konferenca e parë statusore në rastin kundër katër ish-drejtuesve të UÇK-së pritet të mbahet këtë të mërkurë.

Më 18 nëntor në orën 11.00, para gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të paraqiten katër figura të rëndësishme të UÇK-së.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka ftuar Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe avokatët e tyre mbrojtës që të marrin pjesë në konferencën statusore.

Në Rregulloren e Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, rregulla 96, thuhet se “Gjykatësi i procedurës paraprake thirr një konferencë mbi ecurinë e çështjes sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas paraqitjes së parë të të akuzuarit”.

Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë paraqitur para Gjykatës Speciale javën e kaluar, ku janë njoftuar me akuzat me të cilat ngarkohen, ku më pas të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Ata janë duke u akuzuar për krime lufte, ndërsa nga Kosova drejt Hagës kanë udhëtuar më 5 nëntor.

Në Hagë gjenden edhe Hysni Gucati, Naim Haradinaj dhe Sali Mustafa.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në formë…