Sejdiu: Kosova të respektojë parimet ndërkombëtare rreth demarkacionit, Speciales e Asociacionit

10 shkurt 2018 | 10:38

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ka thënë se Kosova duhet të respektojë në plotni parimet e drejtësisë ndërkombëtare sa i përket çështjes së demarkacionit, Gjykatës Speciale, por edhe formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, duke respektuar vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese.

Ish-presidenti i Kosovës, në ligjëratën para studentëve të kolegjit “Globus”, me temën “Shtetndërtimi i Republikës së Kosovës dhe roli i shteteve shqiptare në Ballkan dhe Evropë”, ka thënë se Gjykata Speciale erdhi pasi Kosova nuk i kreu detyrat e saj.

“Sa i përket çështjes së demarkacionit ka pasur nevojë për unitet në trajtim, dhe të respektohen në plotni parimet e drejtësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar Sejdiu.

“Kurse, Gjykata Speciale, po të kryente Kosova punët në sundimin e ligjit nuk do shtrohej në këtë mënyrë… Por është përgjegjësi, sepse kanë hyrë në të. Kjo është e pranuar nga Kosova, është dizajnuar si është dizajnuar, do të kushtojë në ecjen tonë të mëtejshme. Por mund të gjendet rrugë dhe pjekuri politike të kapërcehet me urtësi dhe elita që udhëheq në mënyrë që gjenerata ta gjejë shpresën e vet për zhvillimin e jetës”, ka theksuar ish-presidenti Sejdiu, raporton “Ekonomia Online”.

Edhe për Asociacionit të Komunave Serbe, Sejdiu tha se Kosova e ka borxh ta formojë atë sikurse asociacionet që janë bërë më herët, duke respektuar pikat ku ka reaguar Gjykata Kushtetuese.

“Kosova e ka për borxh ta formojë Asociacionin, por nuk mund të lejojë de-unitarizimin e bashkësisë territoriale”, ka thënë Sejdiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për nder të përvjetorit jubilar të shtetësisë së Kosovës, më…