Sekretari i NATO-s: Kohë të vështira për kontrollin e armëve

24 tetor 2019 | 14:34

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se regjimet e kontrollit të armëve duhet të përshtaten me realitetet e reja për të mbetur efektive.

“Këto janë kohë të vështira për kontrollin e armëve”, ka thënë Stoltenbergu në një konferencë të NATO-s në Bruksel, në lidhje me këtë çështje.

“Regjimi global i kontrollit të armëve që na ka shërbyer aq mirë po shkatërrohet”, ka thënë Stoltenbergu.

Ai ka theksuar se aleanca ushtarake perëndimore është e përkushtuar për kontrollin e armëve, çarmatimin dhe mospërhapjen bërthamore.

Konferenca vjen disa muaj pasi Uashingtoni është tërhequr nga Traktati për Armë Bërthamore, pas akuzave që i ka bërë Moskës për zhvillim të armëve në kundërshtim me këtë marrëveshje, që daton nga periudha e Luftës së Ftohtë.

Moska më vonë veproi njëjtë, dhe është tërhequr po ashtu nga Traktati.

Stoltenbergu ka akuzuar edhe Korenë Veriore e Iranin për “injorim apo shkelje të rregullave globale si dhe shpërndarje të teknologjisë së rrezikshme dhe raketave në gjithë botën”.

Stoltenbergu ka theksuar se “rritja e Kinës” ndikon në regjimin aktual të kontrollit të armëve, pasi ky shtet aktualisht ka buxhetin e dytë më të madh në botë për mbrojtje pas Shteteve të Bashkuara.

“NATO-ja duhet të jetë e bashkuar dhe të reflektojë mbi këto realitete”, është shprehur Stoltenbergu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Suso është gati t’i thotë lamtumirë Milanit, që në afatin…