Sektori shëndetësor,  i rëndësishëm për një zhvillim të qëndrueshëm

11 dhjetor 2018 | 14:53

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka marrë pjesë në tryezën “Reforma shëndetësore” e organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE).

Qëllimi i këtij takimi ka qenë hapja e diskutimit mes sektorit privat si dhe atij publik mbi të gjeturat e publikuara në dokumentin “White Book” ku trajtohen tema të rëndësishme siç janë fondi i sigurimeve shëndetësore, çmimi referencial dhe buxheti i shëndetësisë.

Drejtori ekzekutiv i KIE, Shpend Balija, ka thënë se sektori farmaceutik dhe në përgjithësi sektori shëndetësor janë një komponentë e rëndësishme e ekonomisë vendore.

Në këtë kontekst Balija ka falënderuar ministrin Ismaili për iniciativat e ndërmarra në reformën shëndetësore.

“KIE po krijon një partneritet të shëndosh dhe të fuqishëm me institucionet përkatëse shtetërore për të kontribuar në një zhvillim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, dhe në këtë kontekst sistemi shëndetësorë është një pikë mjaftë e rëndësishme në ekonominë vendore”, është shprehur ai.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë me dije se është duke u punuar me një intensitet të madh për të reformuar sistemin shëndetësorë në Republikën e Kosovës.

Ai ka thënë se janë grumbulluar një numër i madh i problemeve ndër vite në këtë sektor.

“Ne shpresojmë që fondi i sigurimeve shëndetësore të bëhet funksional në fund të vitit 2019 edhe pse është një përpjekje ambicioze, por jemi duke punuar shumë edhe në fusha tjera sepse me një menaxhim më të mirë dhe më efikas do të arrijmë edhe më shumë suksese”, ka theksuar Ismaili.

Edhe  Arianit Jakupi kryetar i  Odës së farmacistëve të Kosovës i cili ka nda disa pikëpamje të rëndësishme duke potencuar ndër të tjera se 76 për qind e barnave të importuara vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, 16 për qind nga vendet e rajonit ndërsa më pak se 1 për qind nga vendet Aziatike.

Gjithashtu pjesëmarrës në këtë tryezë kanë qenë edhe ekspertë të ndryshëm të vendit nga sektori i sigurimeve private shëndetësore dhe industria farmaceutike si dhe ekspert ndërkombëtar të sistemit shëndetësor.

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në…