“Selfie”-t e fundit të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit
Seanca e fundit e legjislaturës së VI ka qenë e qetë, ku deputetët e pozitës dhe opozitës janë parë mjaftë të relaksuar. Madje, ata kanë shkrepur edhe “selfie” me kolegët e tyre si kujtim i fundit nga kjo legjislaturë.
Këto fotografi, deputetët i kanë shpërndarë nëpër rrjetet e tyre sociale duke iu dhënë përshkrime të ndryshme. E para që ka shkrepur “selfie” ka qenë ministrja në detyrë e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e cila në profilin e saj në “Facebook” ka postuar një foto duke shkruar: “Një selfie para fushatës”, raporton “Epoka e re”.
Me pas foto ka postuar edhe grupi parlamentar i AAK-së. Ish-deputeti i kësaj partie, Muharrem Nitaj, duke e shpërndarë foton në profilin e vet në “Facebook” ka shkruar: “Përfundoi një legjislaturë e Kuvendit, që me këtë përbërje, mos e pafsha herë tjetër! Një legjislaturë ku kishte shumë fjalë e pak ide”.
“Selfie” nga seanca e fundit e legjislaturës së VI, në profilin e vet në “Facebook”, ka postuar edhe ish-shefi i grupit parlament të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, duke shkruar: “Kemi bindjen e plotë se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët e Kosovës do ta forcojnë përfaqësimin e tyre nëpërmjet deputetëve të NISMËS Socialdemokrate dhe në legjislaturën e VII-të NISMA Socialdemokrate do të jetë e përfaqësuar me më shumë se 10 deputetë”.
Me dorën e tij “selfie” ka realizuar edhe lideri i LV-së, Albin Kurti.
Kësaj foto të realizuar në shkallë të Kuvendit, ai ia ka bashkangjitur edhe një postim të gjatë. “Pasi ra qeveria, u shpërnda edhe Kuvendi. Urime! Tash kthehemi te qytetarët, te burimi i sovranitetit, për zgjedhje të lira e demokratike, për legjitimitet të freskët për institucionet, për qeverisje të mirë për qytetarët”, ka shkruar Kurti ndër të tjera në profilin e vet në “Facebook”.
Me kolegët e saj “selfie”, në sallën e grupit parlamentar të LDK-së ka bërë edhe ish-deputetja e kësaj partie Doruntinë Maloku, duke shkruar “Tik tak… ditë t’mira po vijnë”.
Me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime deputetët e Kuvendit kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së VI, duke iu hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
/Muhamet KOCI/