Selimi: Albin Kurti po përpiqet që të krijojë Dodikët e tij në Maqedoni të Veriut

02 mars 2024 | 20:25

Sipas ish-ministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përpiqet që të krijojë Millorad Dodikët e tij në Maqedoninë e Veriut.

Presidenti ultra nacionalist i Republikës Srpska, entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë, Millorad Dodik, është në listën e zezë të SHBA-së, ndërsa është vegla e presidentit serb Vuçiq.

Këto komente, Selimi i ka bërë në një postimi në platformën X, duke folur për përfshirjen e Kurtit në zgjedhjet presidenciale (rundi i parë 24 prill, i dyti më 8 maj) dhe parlamentare (8 maj) në Maqedoni të Veriut.

Dodik, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, vazhdimisht bënë veprime de-stabilizuese në BeH, duke e kërcënuar për shkëputje, por edhe është i njohur për besnikërinë e tij ndaj Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, dhe atij serb, Aleksandër Vuçiç.

“Maqedonia e Veriut zgjodhi kryeministrin e parë shqiptar [Talat Xhaferin] javë më parë. Ngjarje absolutisht historike në shumë mënyra, por përshtypja që të jep kur dëgjon qeverinë në Kosovë është ajo e urrejtjes dhe pakënaqësisë. Kurti ka lojën e tij, duke u përpjekur të krijojë Dodikët e tij të vegjël në Maqedoni”, shkroi Selimi.

Eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht Bekim Qoku, këshilltar i Kurtit, do të jetë pjesë e listave zgjedhore të koalicionit opozitar shqiptar (VLEN), në Maqedoni të Veriut, ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike, Aleanca për Shqiptarët dhe aktivistë të VV-së.

Madje, opozita shqiptare, pas takimit që kishte pasur me Kurtin në Prishtinë, doli edhe me kandidat për president të Maqedonisë së Veriut; Kryetarin e Gostivarit, njëherit kreun e ASH-së, Arben Taravari.

Kurti i ka dhënë mbështetje opozitës shqiptare, e cila, për t’u faktorizuar me pushtet atje, duhet që ta mposhtë Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) të Ali Ahmetit – i cili nuk njeh humbje tek vota shqiptare që nga koha kur është bërë pjesë e politikës së Maqedonisë së Veriut, më 2002.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Njohja e Kosovës është çështje kohe”, kështu u shpreh ambasadori…