Selimi: Duhet reformë serioze në sistemin e drejtësisë penale

05 mars 2018 | 16:11

Njohësi i çështjeve të drejtësisë dhe sigurisë, Behar Selimi, ka bërë me dije se Kosovës i duhet një reformë serioze në sistemin e drejtësisë penale për ta forcuar sundimin e ligjit.

Ai ka deklaruar se kjo reformë duhet t’i japë përgjigje se si duhet të mbrohet sistemi i drejtësisë nga ndërhyrjet politike.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Selimi ka thënë se reforma duhet të japë mundësi që, krahas forcimit të rolit të organeve të ndjekjes, të forcohet edhe llogaridhënia e tyre.

“Kërkohet një reformë serioze e sistemit të drejtësisë penale, e cila duhet të japë përgjigje në pyetjen: Si të mbrohet sistemi i drejtësisë nga ndërhyrjet politike?, por edhe si të mbahen përgjegjës dhe llogaridhënës për mungesën e rezultateve nëpunësit e këtij sistemi. Pra, reforma duhet të japë mundësi që, krahas forcimit të rolit të organeve të ndjekjes, të forcohet edhe llogaridhënia e tyre përballë organeve të zgjedhura të popullit. Reformë në të cilën polici, prokurori, gjykatësi i guximshëm do të shpërbleheshin, kurse të kundërtit e tyre do të ndëshkoheshin”, ka thënë Selimi.

Ai ka shprehur optimizëm se këto masa do t’i mundësonin Kosovës të shënojë rezultate pozitive në fushën e sundimit të ligjit.

Madje, sipas Selimit, nëse ka vullnet dhe guxim politik, rezultate në këtë fushë mund të arrihen edhe brenda këtij mandati qeverisës.

“Dorën në zemër, vendi ynë nuk e ka të lehtë të përkushtohet në agjendë, meqë jo rrallë agjendat ndikohen nga zhvillimet jashtë vullnetit tonë. Fatkeqësisht, në vitet e fundit, me fajin tonë, e kemi lodhur veten shumë kotë dhe me prioritete fiktive, të cilat janë bërë top tema në agjendën tonë, pa qenë të tilla. Sidoqoftë, nëse e gjithë klasa politike parlamentare e mbështetur edhe nga shoqëria civile dhe mediet, ka vullnet dhe guxim politik, rezultatet e para mund t’i shohim brenda këtij mandati qeverisës”, është shprehur ai.

Selimi ka treguar se mungesa e rezultateve në fushën e sundimit të ligjit ka efekte në të gjitha fushat e tjera. Sipas tij, kjo ka ndikim shumë në madh në sigurinë publike dhe atë kombëtare.

“Ndikimi është substancial, madje edhe në sigurinë kombëtare. Nëse ka shkelës ligji që nuk druajnë nga shkelja e ligjit, sidomos nëse ata janë të veshur me pushtet, askush s’është i sigurt dhe askush s’duhet të jetë i qetë. Nëse krimineli vazhdon ‘profesionin’ e tij i papenguar, atëherë të gjitha profesionet e tjera janë në rrezik t’i përshtaten këtij ‘profesioni’ dhe shoqëria të kriminalizohet me shumicë”, është shprehur Selimi.

“Epoka e re”: Z. Selimi, sundimi i ligjit ende vazhdon të mbetet sfidë për vendin. Çfarë duhet të bëjnë institucionet që të përmirësohet gjendja në këtë fushë?
Selimi: Është sfidë dhe duhet të kuptohet si pengesa kryesore e përparimit në çfarëdo fushe tjetër. Nëse kuptohet kështu, atëherë të gjitha institucionet shtetërore, mediet dhe shoqëria civile, duhet të përqendrohen në përballje me këtë sfidë, orë e çast, natë e ditë. Para së gjithash, kërkohet një reformë serioze e sistemit të drejtësisë penale, e cila duhet të japë përgjigje në pyetjen: Si të mbrohet sistemi i drejtësisë nga ndërhyrjet politike?, por edhe si të mbahen përgjegjës dhe llogaridhënës për mungesën e rezultateve nëpunësit e këtij sistemi. Pra, reforma duhet të japë mundësi që, krahas forcimit të rolit të organeve të ndjekjes, të forcohet edhe llogaridhënia e tyre përballë organeve të zgjedhura të popullit. Reformë në të cilën polici, prokurori, gjykatësi i guximshëm do të shpërbleheshin, kurse të kundërtit e tyre do të ndëshkoheshin.

“Epoka e re”: Baza ligjore në rregullimin e kësaj fushe nuk mungon, por ngecjet vërehen në zbatimin e ligjeve. Në këtë aspekt, përgjegjësinë më të madhe e ka politika apo institucionet e drejtësisë?
Selimi: Në fakt, ka shumë ligje në përgatitjen e të cilave kanë marrë pjesë ekspertë vendesh të ndryshme me kultura të ndryshme juridike, të cilat kanë nxjerrë një sistem hibrid të drejtësisë, me elemente kontinentale, por edhe anglosaksone, plus trashëgimia vendore. Pra, “mjeshtër” të shumtë dhe të ndryshëm e kanë krijuar këtë sistem, prandaj për njohësit e kësaj fushe është e qartë se ka nevojë për reformë serioze dhe jo reformë deklaratash që përsëritën nga çdo qeveri. Përveç sistemit, është krijuar edhe mentaliteti i rrugëve joformale për të kryer punë nëpërmjet “të fortëve”. Pra, qytetari ynë, sot, në vend se të pyes se cilat janë rregullat e procedurat për realizimin e një të drejte, ai duhet të pyesë se “kush kryen punë”. Prandaj, politika e ka mandatin e reformave dhe përgjegjësinë para qytetarëve, njëkohësisht politika përgjigjet kudo në botë për dështimet e administratës së saj, duke përfshirë edhe administrimin e drejtësisë.

“Epoka e re”: Siç dihet, nga sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit do të varet shumë avancimi i Kosovës në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Nëse ka vullnet politik brenda çfarë periudhe kohore Kosova mund të shënojë rezultate pozitive në këtë drejtim?
Selimi: Etapat janë të kushtëzuara nga stabiliteti politik. Dorën në zemër, vendi ynë nuk e ka të lehtë të përkushtohet në agjendë, meqë jo rrallë agjendat ndikohen nga zhvillimet jashtë vullnetit tonë. Fatkeqësisht, vitet e fundit, me fajin tonë, e kemi lodhur veten shumë kotë dhe me prioritete fiktive, të cilat janë bërë top tema në agjendën tonë, pa qenë të tilla. Sidoqoftë, nëse e gjithë klasa politike parlamentare, e mbështetur edhe nga shoqëria civile dhe mediet, ka vullnet dhe guxim politik, rezultatet e para mund t’i shohim brenda këtij mandati qeverisës.

“Epoka e re”: Mungesa e sundimit të ligjit, sa mund të ndikojë në sigurinë publike?
Selimi: Ndikimi është substancial, madje edhe në sigurinë kombëtare. Nëse ka shkelës ligji që nuk druajnë nga shkelja e ligjit, sidomos nëse ata janë të veshur me pushtet, askush s’është i sigurt dhe askush s’duhet të jetë i qetë. Nëse krimineli vazhdon “profesionin”  e tij i papenguar, atëherë të gjitha profesionet e tjera janë në rrezik që t’i përshtaten këtij “profesioni” dhe shoqëria të kriminalizohet me shumicë.

“Epoka e re”: Kompletimit të arkitekturës së sigurisë në Kosovë po i mungon edhe një hallkë, siç është formimi i ushtrisë. A po vonohet Kosova në këtë drejtim?
Selimi: Kemi pasur rast më herët ta krijojnë, pa zhurmë të madhe. Sidoqoftë, nuk jemi për ngutë, mendoj unë. Për sa kohë që kemi NATO-n në Kosovë, siguria e sovranitetit dhe integritetit territorial është e garantuar, dhe NATO-ja nuk do të largohet pa krijimin e ushtrisë sonë, gjegjësisht pa integrimin e Kosovës në gjirin e saj. Deri atëherë, Kosova duhet të investojë më shumë në njësitë e specializuara policore, të krijojë edhe njësi të tjera që u ngjajnë njësive ushtarake, por që janë me mision policor. Duhet të investohet shumë në shërbimin e inteligjencës nacionale dhe të asaj policore. Për më tepër, duhet të krijohet shërbimi i jashtëm i inteligjencës dhe të forcohet roli i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Të gjitha këto mund të bëhen pa telashe me ndërkombëtarët dhe pa pasur nevojë ta lusim askënd, ndërkohë që këto ndryshime janë plotësime efikase të mungesës së ushtrisë së armatosur.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia Kufitar e Kosovës bashkë me pjesëtarë të Forcës së…