Selimi, trajneri më i ri që fitoi trofe: Ishin ndjenja të papërshkrueshme. Nuk i harroj kurrë

18 qershor 2020 | 17:18

Trajneri i futbollit në Kosovë, Musa Selimi, është trajneri më i ri në futbollin e Kosovës që ka arritur të fitojë trofe. Selimi në moshën 32 vjeçe i ka prirë skuadrës së Gjilanit drejt një suksesi të madh, duke e fituar Kupën e Kosovës.

Trajneri gjilanas të enjten në bisedë për “Epokën e re” ka thënë se ato çaste mbetën ndër më të mirat në jetën e tij dhe se do t’i kujtojë përherë.

“Ka qenë ndjenjë e papërshkrueshme, edhe pse kanë kaluar shumë vite. Ai sukses mbetet ndër çastet më të mira në karrierën time. Loja ka qenë shumë interesante dhe në fund arritëm ta mposhtim Besianën me rezultat 1-0. Në të njëjtin vit e fituam edhe Superkupën ndaj Prishtinës (4-1)”, ka thënë Selimi, i cili më pas me plot sukses ka drejtuar shumë klube në futbollin e Kosovës dhe sukseset kanë qenë të mëdha.

“Profa” e ka analizuar edhe finalen e Kupës për këtë edicion në mes të Ballkanit dhe Prishtinës. Ai ka thënë se cilado skuadër që e fiton trofeun e ka më se të merituar. “Do të jetë një finale interesante, pasi përballen dy ekipe shumë mira të komponura dhe me lojtarë fantastikë. Do të jetë ndeshje e vështirë për të dyja klubet, por cilado që e fiton trofeun mund të them se e meriton”, ka deklaruar ai për “Epokën e re”.

Aktualisht Musa Selimi është duke i munguar futbollit, por jo edhe sportit të Kosovës. Ai me shumë sukses është duke e kryer detyrën e dekanit në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, kurse është edhe kryetar i Federatës së Sportit Universitar të Kosovës.

(Veton ZYMBERI)

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jetlir Zyberaj, ish-këshilltar i ish-ministrit të Punëve të Kosovës, Behgjet…