
Selmanaj, Nagavcit: A ndjeheni si superkriminele?
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj, i është drejtuar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci me pyetjen: “A ndjeheni si superkriminele?”.
Këtë pyetje Selmanaj e ka bërë në Kuvend, pasi ka thënë ai, Albin Kurti në kohën kur kryeministër ishte Isa Mustafa, kishte thënë se “kush e shkel Kushtetutën është superkriminel”.
“A ndjeheni si superkriminele ministrie? Albin Kurti ka thënë dikur se kush e shkel Kushtetutën është superkriminel në kohën kur Isa Mustafa ishte kryeministër. Ai s’ka qenë shkelës i Kushtetutës fare sepse s’ka pasur vendim nga Gjykata Kushtetuese”.
“Jo akt moral, jo kërkim falje, madje po i kërkon prova Gjykatës Kushtetuese pse e keni marrë këtë vendim, mos mbani kësi njerëz të tillë në qeveri”, ka thënë Selmanaj.
Ky reagim ka ardhur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku thuhet se MAShTI i ka tejkaluar kompetencat me vendimin për mësimin e përshpejtuar në Kamenicë.