Selmanaj: Profesori Sali Mazrekaj nuk bënte kompromis me shkelësit e gjuhës shqipe

06 mars 2020 | 17:46

Është ndarë nga jeta , atdhetari e intelektuali, bashkëveprimtari, veterani i arsimit dhe veterani i UÇK-së, profesori i shumë gjeneratave, Sali Mazrekaj. Profesorit Mazrekaj iu dha lamtumira e fundit sot.

Në historikun e vështirë , por të lavdishëm të arsimit, Profesor Sali Mazrekaj do të mbetet shëmbëlltyrë e përsosur e njeriut, e mësuesit të përkushtuar deri në sakrificë për edukimin kombëtar dhe qytetarë të mijëra nxënësve të komunës së Deçanit, tha ndër tjera deputeti Rasim Selmanaj i cili me dhimbje ndau të shkruante disa rreshta për mikun e tij, ish-profesorin Sali Mazrekaj.

Fjalët prekëse të Selmanajt në mbledhjen komemorative për profesorin dhe atdhetarin Sali Mazrekaj!

E nderuar familje Mazrekaj, Miq dhe bashkëveprimtar të profesorit tonë të dashur, Sot po ndahemi fizikisht nga Prof Sali Mazrekaj! Arsimi e humbi pedagogun dhe veteranin më të shquar që ndonjëherë ka njohur kjo trevë. Fjala e urtë humbi artikuluesin më të denjë, kultura humbi ruajtësin më të devotshëm të saj, ne humbëm profesorin , mikun i cili ishte shembull për vlerat njerëzore në të gjitha kohët që kaloi ky popull. Profesor Sali Mazrekaj, ishte njeriu i mirë që u jetoi dhe u kalit me libër në dorë, njeriu i heshtur që përherë ishte në kërkim të dijes dhe shpërndarjes së saj. Njëkohësisht, ai ishte idealisti dhe atdhetari, që e dinte kur duhet të heshtin muzat, por edhe kur duhet ndezur shkëndijat e zjarrta të atdhetarismës” siç thoshte vetë në një fjalë poetike. Ai ishte njeri i fjalës dhe i pendës, luftëtar i së vërtetës, njeri që i njihte të gjitha dhembjet e popullit, nga gurra e të cilit mori urtësinë, përvojën duke u shndërruar në një udhërrëfyes të saj. Ai e bënte luftën në shkollë, me edukimin e brezave, ndërsa kur e kërkonte nevoja, ai ishte edhe zëri i tyre edhe në sheshe ku me guxim kërkohej liria.

Edhe atëherë kur iu vunë masat e dhunshme shkollës shqipe, ky intelektual e edukator, nuk kishte kompromis me shkelësit e gjuhës dhe shkollës shqipe. Ai nuk iu nda asaj, në fshatra, në shtëpi-shkolla, pavarësisht motit e stinës, presionit politik e dhunës fizike. Ai ishte një degë eprore e pathyeshme, sepse trungun familjar e kishte të fortë dhe të palëkundur. Nga ky trung ishte Sali Zenun Vokshi, pjesëtar në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe pjesëmarrës në vrasjen e Magjarr Pashës i dënuar me 10 vite burg në Turqi! Po ashtu nga kjo familje atdhetare ishte Metë Hyseni një atdhetar i madh dhe i dënuar politik! Në luftën e lavdishme të UÇK-së janë flijuar dëshmorët Shaban e Isuf Mazrekaj! Bajram Mazrekaj ishte komandant i UÇK-së për regjionin e Vokshit, ndersa të plagosur e ushtarë nga kjo familje ishin; Murati, Binaku, Rasimi, Jetoni, Naimi, Iliri, Hysnia, Sadiku, Cama, Tafa, Genci e Resmije Mazrekaj!

Sali Mazrekaj, për dyzet vjet radhazi para nxënësve, kultivoi dashurinë për atdheun. Për dyzet vjet radhazi ai ishte në shërbim të secilit, duke i bërë bashkë të gjithë, pa dallim moshe e gjinie, por duke u bërë një udhërrëfyes i shqiptarizmës. Fjala e tij, e brumosur nw frymën kombëtare, u bë frymëzim për brezat që bënë rezistencën kombëtare shqiptare. Prandaj, atëherë e sot, ai u bë ideal i nxënësve, i studenteve dhe model i mësimdhënësve shqiptarë. Kjo ishte ana më e zakonshme e profesorit, mikut dhe bashkëveprimtarit tonë të ditëve të vështira.

Në vitet kur vetëm të identifikoheshe me emrin e heroit Jusuf Gërvalla ishte vështirë, profesor Sali Mazrekaj, jo vetëm që fliste hapur për jetën, veprimtarinë e tyre, por u bë edhe kryetar i Shoqërisë Kulturore Artistike me të njëjtin emër, të cilën për vite e udhëhoqi, dhe përmes saj u bë mësuesi ynë misionar, por edhe mbrojtësi ynë vizionar. Prandaj, nuk është e rastit se nga kjo shoqëri kulturo artistike, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare, dolën edhe luftëtarë dhe heronj të zotë. Sepse vetë ishte i brumosur në vijën atdhetare, në idealin e rilindësve, veçmas të vëllezërve Frashëri, në shkollën ku shkëlqeu profesionalisht dhe moralisht, ku nxënësve të tij ua mësonte gjuhën e pastër shqipe, të njësuar, sepse shqiptarët për të ishin Një, kudo qofshin ata. Këtë e dëshmoi edhe në shkrimet dhe publikimet në revistën “Zgjimi”.

Ai ishte redaktori i mprehtë, bashkëpunëtori i madh, për të cilën as kjo revistë, as temat më të rëndësishme që u shkruan në të, nuk do të artikuloheshin aq mirë në frymën e rezistencës, pa lekturën e Sali Mazrekajt. Veprimtaria e profesor Sali Mazrekaj nuk fillon këtu, ajo është shumë më ë hershme. Kështu, në vitet 1981, kur u burgosëm një grup të rinjsh, ish-nxënës të tij, ai ishte në mesin atyre që na përkrahu me zemër, që na priti si bijtë e tij, kur u kthyem si ish-të dënuar politikë, që t’i merrnin diplomat në shkollë. Dhe jo vetëm kaq, përveç që e kishim edhe krahë të palëkundur në demonstrata, ai edhe na strehonte ne familje dhe bashke me familje, na ushqente, na i ndërronte rrobat e shqyera dhe na përcillte sit ë ishin bijtë e tij. Fare në fund, pot të drejtohem ty, miku ynë i nderuar, Të faleminderit për të gjitha veprat dhe shëmbëlltyrën tënde,

Të faleminderit për rrugën e mbarë që na tregove,

Të faleminderit që na bëre të ndihemi krenarë edhe në ditë të mira dhe të vështira,

Lamtumirë, mik e profesor, Sali Mzrekaj! RS

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka…