Selmani: Paraqitja e Feronikelit në Evropë ishte e mirë

02 gusht 11:53

Trajneri Agron Selmani ka thënë për “Epokën e re” se paraqitja e Feronikelit dhe Prishtinës në arenën ndërkombëtare ka qenë relativisht e mirë. Për ndeshjen ndaj Slovan Bratislavës, Selmani shprehu mendimin se në radhët e kampionëve të Kosovës pati një lodhje.

Të martën në mbrëmje edhe zyrtarisht futbolli i Kosovës e përfundoi aventurën në arenën ndërkombëtare për këtë edicion, pasi Feronikeli nuk arriti ta përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë ndaj Slovan Bratislavës (2-1), duke pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë (0-2), e cila është zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Për dallim nga “Nikli”, nënkampionia e Kosovës, Prishtina, aventurën e kishte mbyllur më herët në Ligën e Evropës dhe tash pret fillimin e edicionit të ri në Superligë.

Trajneri i njohur në Kosovë, Agron Selmani, për gazetën “Epoka e re” i ka analizuar ndeshjet e dy klubeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Fillimisht ai vlerësoi se futbolli i Kosovës prej pranimit në arenën ndërkombëtare ka filluar të bëjë një përparim, por që ende është në fazën e tranzicionit. “Futbolli i Kosovës edhe më herët, por me pranimin në UEFA ka filluar me hapa të ndjeshëm të ecë përpara. Aktualisht futbolli ynë është në fazë të tranzicionit dhe ajo vërehet në ristrukturimin dhe organizimin e  klubeve në nivel profesional dhe organizativ. Pastaj ligji për sport, përmirësimi i infrastrukturës sportive si dhe rregullimi i potencialit njerëzor profesional. Produktet e këtij tranzicioni do të vërehen nëse jo sivjet, atëherë në një të ardhme shumë të afërt”, ka thënë ai. “Paraqitja e Feronikelit në arenën ndërkombëtare ishte e mirë. Jemi të  vetëdijshëm se opinioni kërkon gjithmonë diçka më shumë dhe Feronikeli ndoshta mund ta dhuronte atë, por pati në disa raste edhe mungesë të fatit. Megjithatë, kjo për Feronikelin është një përvojë mjaft e madhe. Ajo çfarë më ka bërë përshtypje te loja e Feronikelit është prezantimi dhe loja bindëse si mysafir dhe kjo nënkupton se në klub ende veprohet dhe frymohet emocionalisht dhe lojtarët kanë qenë të ngarkuar me rezultatin pozitiv të domosdoshëm, sidomos kur luajnë para tifozëve vendës”, ka deklaruar Selmani. “Klubet e Kosovës, e sidomos Feronikeli, janë prezantuar mirë në arenën ndërkombëtare. Në ndeshjen e fundit pati një lodhje, por më shumë edhe një ngarkesë emocionale, të cilën njerëzit në klub është dashur ta menaxhojnë më mirë”, ka thënë Selmani.

Ish-trajneri i Ferizajt foli edhe për paraqitjet e Prishtinës në Ligën e Evropës ku është eliminuar pas barazimit si vendës 0-0 ndaj St Joseph’s dhe humbjes si mysafir me rezultat 2-0. “Klubi i Prishtinës është në ndërtim dhe ekzekutim të një projekti për të ardhmen dhe klubi në arenën ndërkombëtare nuk u prezantua në nivelin e parashikimeve dhe të dëshirave. Prishtina është përcjell edhe në kampionatin e Kosovës, por edhe në arenën ndërkombëtare me disa polarizime dhe kjo e ka dëmtuar ekipin në përformancën ekipore”, ka treguar Selmani.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Miodrag Soric Ato që të forcojnë janë fitoret. Në konfliktin…