Senatorët amerikanë i kërkojnë Kosovës dhe Serbisë aneksin për zbatimin e marrëveshjes

01 prill 2023 | 21:21

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Pete Ricketts, kryesues dhe anëtar i Nënkomitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët me senatorët amerikanë Thom Tillis, Chris Murphy, Ron Johnson dhe Chris Van Hollen pasi liderët e Kosovës dhe të Serbisë ditë më parë arritën marrëveshje për Planin evropian, për normalizimin e marrëdhënieve.

Në deklaratën e përbashkët përgëzohen Qeveria e Kosovës dhe e Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa e quajnë moment të rëndësishëm për të dy vendet.

Senatorët amerikanë nga të dy vendet kërkojnë që të arrijnë edhe një aneks për zbatimin e marrëveshjes.

“Ne i përgëzojmë qeverinë e Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet. Ky përparim mund të zhbllokojë mundësitë e rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, në proceset drejt anëtarësimit në BE dhe rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe në mbarë botën”, thonë senatorët.

“Sidoqoftë, të dy liderët tani duhet të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje për aneksin e zbatimit, i cili do të sigurojë një udhërrëfyes për normalizimin midis dy vendeve. Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit kanë implikime të rëndësishme për rajonin më të gjerë, ku ne e dimë se Putini po kërkon të minojë unitetin transatlantik dhe të zgjerojë ndikimin rus. Demokratët dhe republikanët në Senat janë të përkushtuar që të punojnë me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ndërsa finalizojnë aneksin e zbatimit dhe të avancojnë prioritetet që do të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon”, thuhet më tej.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan miratoi vendimin e parlamentit të…