SERBIA DUHET TË AKUZOHET PËR GJENOCID

13 mars 2018 | 11:32

Shkruan Jakup Krasniqi

Kur po flasim për raportet shqiptare e serbe, e sidomos për politikat serbe ndaj Kosovës që nga Garashanini e krejt deri në ditët e sotme, jo pak herë po bëjmë gabime kardinale. Bëjmë gabime kur gjenocidin serb që filloj të ushtrohet në luftën e fundit në Likoshan e Qirez e pastaj në Prekaz në Lagjen e Jasharëve dhe gjithë politikën serbe të Luftës Çlirimtare po i quajmë: masakër /a apo krim/e. Ato sulme ishin pjesë e një plani të organizuar mirë. Plan për zhdukje të pjesërishme ose të tërësishme të shqiptarëve, i cili plan nuk mund të quhet ndryshe, veçse gjenocid. Ky është standardi shpjegues i fjalës gjenocid.

Pra, nuk duhet që politikat serbe te gjenocidit t’i reduktojmë në shpërngulje, dëbime, masakra e krime. Në fakt asnjëri nga termet e përmendura, sa do të renda që duken në të dëgjuar, nuk e plotësojnë atë që ishte qëllim i politikës serbe. Politika serbe, jo vetëm ajo e kohës se Millosheviqit kishte për qëllim, zhdukjen e pjesërishme ose të tërësishme të popullit shqiptar në trojet e pushtuara nga Serbia e Jugosllavia. Dhe kjo politikë e theksoj forcërisht mund të mbulohet vetëm me një term, me termin e gjenocidit. Në shërbim të kësaj politike ishte edhe sintagma e njohur serbe: “Kosova djep dhe zemër serbe”!

Prandaj, pasi Republika e Kosovës ende nuk është në gjendje të bëjë padinë ndaj Serbisë për gjenocidin e saj dhe dëmet e luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë, duhet ta gjejmë rrugën për ta paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është e domosdoshme, për ndryshe politika agresive serbe ndaj Kosovës nuk do të ndalet. Serbia duhet të dënohet për gjenocid dhe pastaj të detyrohet që t’i paguaj të gjitha reparacionet e luftës.

Sikur institucionet e Kosovës (Qeveria e Presidenti), pas pavarësisë, të mendonin më shumë për të gjetur mënyrën për padinë për gjenocidin e ushtruar nga Serbia ose të angazhoheshin për ketë çështje sa janë angazhuar për Kompani Lobuese për çështje krejt personale me parat e buxhetit të Kosovës, pozicioni i saj do të ishte shumë, shumë më i mirë sesa është. Kushdo që kërkon votat e qytetarëve të Kosovës, duhet të përgatitet për t’ju shërbyer atyre me përgjegjësi e përkushtim.
Prandaj, është koha e fundit, që krerët e institucioneve të përqendrohen për çështjet që kanë të bëjnë kryekreje për interesin e publikut dhe interesin e shtetit.

Serbia për gjenocidin e ushtruar në Kosovë duhet të nxirret para përgjegjësisë që e ka në raport me shqiptarët e Kosovës. Serbia nuk duhet të lejohet që të kërkoj hise në Kosovë, përkundrazi, ajo duhet t’ia kthej borxhet e shumta që ia ka Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Drejtësia Ndërkombëtare duhet të sfidohet me të drejtë! I përket Drejtësisë Ndërkombëtare që AJO ta marr vendimin meritor mbi bazën e standardeve të proklamuara!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan Jakup Krasniqi Kur po flasim për raportet shqiptare e…