Sërish përplasje mes pozitës e opozitës në Komisionin Hetimor për rezerva

28 shkurt 2024 | 15:55

Partitë opozitare dhe mazhoranca kanë pasur një përplasje mes vete në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.

Arsyeja e kësaj përplasjeje ishte mungesa e deputetes së LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.

E mungesa e saj ka bërë që disa deputetë të pushtetit ta lëshojnë këtë mbledhje, duke bërë që të kritikohet nga opozita. Mungesa e tyre ka bërë që të dështojë mbledhja e këtij komisioni.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka thënë se LDK-ja ka tendencë për ta penguar punën e këtij komisioni, raporton “EO”.

“E kam vërejtur një tendencë të përfaqësuesve nga LDK-ja për pengimin e këtij komisioni”, ka thënë ai, duke e lëshuar mbledhjen.

Bashkë me të Thaçin, mbledhjen e kanë lëshuar edhe kolegu i tij partiak, Salih Zyba.

Deputeti tjetër i mazhorancës, Driton Hyseni, ka thënë se nuk pajtohet me mënyrës se si janë ndërtuar pyetjet për këtë çështje.

“Nuk kemi të bëjmë me neglizhencë por me atë se çfarë na ka caktuar kuvendi për të kryer punët tona. Ne kishim përplasje sa i përket listës së pyetjeve. Dy kërkesat qe kanë shkuar njëra Ministrisë e tjetra prokurorisë kanë dal jashtë asaj qe jemi dakorduar këtu në komision”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kërkesë e saj është vazhdimi i punës së këtij komisioni, pasi afati është i limituar.

“Ky komision hetimor nuk është iniciuar në emër të timin dhe të Doarsës, por është emëruar në emër të LDK-së. Nuk po dua më polemika, por dua me vazhduar punën e këtij komisioni. Unë ju lus bashkërisht edhe pozitë edhe opozitë edhe ata që kanë mundësi me ardhur me marr pjesë sepse jemi në afate të shkurta. Filma mjaftueshëm kanë ekzistuar edhe kur keni munguar edhe kur është themeluar ky komision”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryetari i këtij komisioni, Rashit Qalaj, ka thënë se ai do të thërras vetëm edhe një mbledhje.

“Unë do ta thërras vetëm edhe një mbledhje, vetëm edhe një. Është hezitim i deputetëve të pozitës, duke tentuar me gjetur çfarëdo. Jemi shumë mbrapa me të gjitha aktivitetet e këtij komisioni. Nëse konsideroni që nuk ja vlen me u mbajt ky takim unë e qes në votim rendin e ditës”, ka thënë Qalaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka folur për takimin e…