Tre janë personazhet që të mbeten në mend: Don Kishoti, shqytari i tij Sanço Pança dhe e vluara e zemrës së hidalgos aventurier, Dylqinja e Tobozës, duke shtuar edhe një të katërt, kalin gërdallë Rosinantin. Pak janë këta, por sa ngjarje përballojnë, sa dështime në qëllimin e tyre të mirë, gjithmonë për të ndihmuar të tjerët, ata që kanë rënë në hall e janë në vështirësi, dhe pastaj … sa mesazhe.
Kalorësit të rënë nga vakti, i lind një ide e madhe dhe niset ta vërë në zbatim. Nuk ka ndonjë plan të mirëfilltë, por atij sikur i dalin vetë përpara fenomenet me të cilat i duhet të ndeshet. Tani ai vesh pancirin, vë helmetën, merr heshtën e mburojën dhe pasi e nxjerr nga hauri kalin e tij kockë e lëkurë, merr një fshatar rondokop që i ka premtuar se do ta emërojë guvernator të një ishulli dhe … o burra! Po ku shkon? As vetë nuk e di. Po ç`rëndësi ka kjo, kur bota është e mbushur me padrejtësi. Ai, si trim që ishte, do ta luftonte të keqen dhe do t`i bënte zap të liqtë. Pastaj, ç`i duhet atij nëse e keqja ka formën e mullinjve të erës a shakujve të verës. Lufton ndershmërisht me ta, sa e çudit edhe Sançon vetë dhe krenohet në heshtje para të dashurës së tij gjysmëbudallaqe. Rrugës takon Kalorësin e Fytyrës së vrerosur apo të Hënës së Bardhë, u jep një mësim atyre dhe vazhdon… por një dreq e di se ku shkon. Ose më mirë, shkon drejt vdekjes së tij. Por, tani, i bërë pishman nga gjithë kjo lodhje e ky strapacim i kotë. Aq sa me të drejtë i vendosin si epitaf, atë strofën që u bë mësim për të gjithë: Këtu dergjet Don Kishoti, / ish i fort` e ish i zoti, / Botën prapa desh ta kthente / Dhe me ushtën ta mbërthente. Ama, i bëri gjithë njerëzimit të çdo epoke një të mirë të madhe: i la peshqesh termin “Donkishotizëm”.
E, çfarë përkthimi, po kaq gjenial që i bën kësaj kryevepre Fan Noli ynë, i cili Don kishotin e ka quajtur subjektivisht (pra për vete), tragjik, kurse objektivisht (për ata që e shohin), komik. Ndofta Noli ka dashur t`i lajë dhe detyrimin që ne shqiptarët i kemi, për proçkën që bëri ndaj tij i paudhi Arnaut Mami! Nuk besoj se ka në gjithë historinë e letërsisë një personazh më tragjikomik se Don Kishoti. Një personazh, që ai vetë do kishte dashur ta quanim, një hero, që aq sa i dhimbseshin të tjerët, t`i dhimbset edhe ai atyre. Se me lotët e Sanço Pançës, na bëhet të bashkohemi edhe ne. Por, jo për atë të fantaksurin që u pendua vonë, por për veten tonë si shoqëri, që gjithmonë besojmë dhe ëndërrojmë se e keqja do të zhduket përfundimisht dhe lumturia do të mbizotërojë, ashtu sikurse besonte edhe autori i këtij romani se do vijë “koha e artë kur njerëzit do të jetojmë të barabartë e të lumtur”.
Vetë, ky shkrimtar gjenial u shua në 22 prill të vitit 1616 në Madrid dhe u varros në një manastir françeskanësh, me të cilët qe bashkuar vitet e fundit të jetës. Kishte vdekur në një ditë me Shekspirin, ai që e përjetësoi hidalgon e shkretë, ai “Ushtari Elitar” i dikurshëm, që ka merituar njëzëri edhe titullin më të lartë të “Shkrimtarit Elitar”.