Sevilla fiton Ligën e Evropës

01 qershor 2023 | 00:07

Sevilla është fituese e Europa League për sezonin 2022-23. Skuadra spanjolle është konfirmuar si e “pathyeshme” në kompeticionin e dytë më të rëndësishme për klube, duke rrëmbyer për herë të 7-të këtë trofe. Sevilla triumfoi nga ruleta e penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesa u mbyllën në shifrat 1-1.

Ashtu siç edhe pritej finalja e Budapestit ishte e barabartë, me të dyja skuadrat që krijuan raste, por dhe ishin shumë të kujdesshme në prapavijë. Roma gjithsesi do të ishte e para që do të gjente rrugën e rrjetës. Në minutën e 34-të, verdheqkutë arrin që të gjejnë golin me Dybala-n, që shënon një super gol, pas një pasimi magjik nga Mancini nga mesi i fushës.

Mbrojtësi i Romës, në fakt do të bëhej protagonist dhe në fillimin e pjesës së dytë, por këtë herë për keq. Në minutën e 55-të, skuadra spanjolle nisi festën, pasi ishte pikërisht Mancini që devijoi topin në portën e tij pas një krosimi të ardhur nga krahu i djathtë.

Koha e rregullt më pas nuk do të sillte më asnjë gol, por tensioni dhe ritmi nuk mungon. Sfida shkoi në shtesë, ku edhe atje nuk kishte shumë mundësi për të ndryshuar shifrat. Nga ruleta e penalltive, Sevilla do të triumfonte me 4 penallti të sakta, ndërkohë që te Roma gabuan Ibanez dhe Mancini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se është arrestuar…