Sezon fantastik për Drenicën dhe Ymerin

06 dhjetor 17:34

Skuadra e Drenicës dhe portieri Arion Ymeri kanë pasur një sezon fantastik në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kuqezi e mbylli kampionatin në pozitën e pestë, kurse Ymeri u rendit në mesin e katërt portierëve më të mirë. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet personale. Jam ndër katër portierët që kanë pësuar më pak gola dhe kur kësaj ia shtojmë faktin se ky është sezoni im i parë që jam titullar, më bën të ndihem mirë”, ka thënë Ymeri.

KF Drenica e ka mbyllur sezonin vjeshtor në pozitën e pestë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll. Portieri Arion Ymeri ka thënë për “Epokën e re” se rezultatet që i ka marrë skuadra kuqezi janë të merituara dhe se me pak fat ka mundur të jetë edhe në pozita më të larta.

“E kemi një grup të lojtarëve shumë të mirë që kemi punuar me shumë seriozitet, për çka ka meritë të madhe trajneri Tahir Lushtaku, i cili në vazhdimësi na ka motivuar. “Paraqitjet në sezonin vjeshtor dhe rezultatet kanë qenë të këndshme dhe plotësisht të merituara. Me pak fat kemi mundur të kemi më shumë pikë dhe të jemi në pozitë më të lartë”, ka thënë Ymeri.

Skuadra nga Skenderaj është paraqitur mirë në ndeshjen e Kupës, por në fund është mposhtur nga Prishtina me penallti. Lidhur me këtë ndeshje Ymeri ka deklaruar se lojtarët e Drenicës janë paraqitur mirë në një terren të vështirë për lojë, por fati ishte në anën e Prishtinës. “Synimi ynë është të bëjmë lojëra sa më të mira dhe të jemi sa më lart në tabelë. Në Kupë fati ishte që të takohemi me Prishtinën në rrethin e parë ku kemi bërë një lojë të mirë për 120 minuta për çka duhet të përgëzohen lojtarët që kanë dhënë gjithçka nga vetja në atë terren të vështirë për lojë, por në fund jemi eliminuar pasi në penallti fati ishte me Prishtinën”, ka shtuar ai.

Arion Ymeri është ndër portierët më të mirë në Superligë, pasi në 17 ndeshjet e zhvilluara ka pranuar 16 gola. Ai po vlerësohet edhe si ndër më meritorët për sukseset e skuadrës së Drenicës në këtë kampionat. “Jam shumë i kënaqur me paraqitjet personale. Jam ndër katër portierët që kanë pësuar më pak gola dhe kur kësaj ia shtojmë faktin se ky është sezoni im i parë që jam titullar, më bën të ndihem mirë. Jam paraqitur në 17 ndeshje në kampionat dhe në një ndeshje në kupë. Dua ta falënderoj trajnerin e portierëve, Skënder Mustafën, për punën e madhe që po bën, por edhe Tahir Lushtakun që gjithmonë u ka dhënë hapësirë lojtarëve të rinj. Unë nuk do të ndalem së punuari dhe me paraqitje të mirë do t’i shpërblej ata për besimin e dhënë”, ka deklaruar Ymeri.

Skuadra e Drenicës e mbylli sezonin vjeshtor në pozitën e pestë me 24 pikë, dy pikë më pak se skuadra e Gjilanit që është një pozitë më lart.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti amerikan, Daniel Serwer, ka deklaruar se NATO është duke…