Sfidat aktuale të prodhuesve vendorë

21 qershor 2018 | 12:05

Burim Piraj- Mastër i Administrimit të Biznesit Ndërkombëtar

Kosova si një vend me ekonomi që ende nuk i ka mbushur dy dekada dhe me një treg 1.5 milion banorë ka nevojë për një përkushtim më të madh të institucioneve vendimmarrëse që të mëkëmbët.

Pas shumë sfidave të natyrës politike, infrastrukturore, të mungesës së energjisë elektrike dhe atyre të natyrës së ligjeve ekonomike të cilat e kanë ngulfatur ekonominë e vendit, tani ekonomia, sidomos shtresa e cila merret me prodhim dhe përpunim në vend, po ballafaqohet me një rrjet tregtar të ndërtuar tanimë në Kosovë, i cili i tejkalon shumëfish nevojat e konsumit të popullatës.

Ky tejkalim i kërkesave të konsumatorëve i ka dhe anët negative të veta, të cilat dalëngadalë po i prekin kompanitë prodhuese vendore me prolongim të pagesës së borxheve, gjë që kompanitë vendore mund të dobësohen financiarisht në atë masë saqë të mos mund të zhvillohen më tej.

Së këndejmi, çdo ditë po favorizohen me prodhime të importuara, për arsye se produktet që importohen paguhen avanc nga kompanitë importuese dhe ata vrapojnë t’u japin sa më shumë hapësira në marketet e veta për ta mundësuar kthimin e mjeteve derisa prodhimet vendore kanë afat pagese deri në 90 ditë në disa raste, plus u kërkohet rabat ekstrem për t’i ekspozuar në market.

Në këso situate kanë qenë shumë vende në zhvillim dhe në këto raste është dashur intervenimi i institucioneve vendore që prodhimit vendor t’i jepet vendi i merituar në markete.

Masat që janë marrë nga vende të ndryshme në botë janë si në vijim:

– Imponimi i furnizimit me prodhime vendore, së paku 50 % nga vlera totale e artikujve në market;

– Vendosja me ligj e pagesave të brendshme dhe detyrimi i pagesës nga organet shtetërore ashtu që të ruhet raporti furnitor-blerës, shteti si palë e tretë ta detyrojë pagesën në afat.

Në bazë të ligjeve në fuqi, pagesa e borxhit nuk është shumë problematike sepse mund ta zbatojnë përmbaruesit privatë, mirëpo në raste të tilla prishet raporti tregtar dhe atëherë kompanitë tregtare i lartojnë të gjitha prodhimet e firmës e cila e përdor përmbaruesin për t’i kthyer borxhet e papaguara;

– Kontrolli i rreptë i deklaratave të prodhimit, sepse shumë prodhime që shiten në Kosovë nuk i kanë deklaratat e sakta, për arsye se në ëmbëlsira dhe në jogurt të ndryshëm fshihet përmbajtja e xhelatinës e cila kryesisht është me prejardhje nga derri dhe në shumë prodhime të mishit përmbajtja e mishit në gjuhët e huaja shkruan vetëm si mish, a në shqip përkthehet mish viçi i cili nuk përkon aspak me përmbajtjen, prandaj këto mospërputhje kanë ndikimin e vet në konkurrueshmëri sepse çmimet i kanë më joshëse për blerësin e Kosovës.

Çdo zyrtar, çdo individ, çdo qytetar duhet ta kuptojë se mundësimi i shitjes së prodhimeve vendore e përmirëson standardin jetësor në vendin tonë, prandaj kontributi i çdokujt është shumë i nevojshëm që ta ndryshojmë gjendjen e cila kohë të gjatë në Kosovë nuk po prodhon stabilitet ekonomik dhe stabilitet social.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet…