Sfidat e Speciales

06 janar 2019 | 15:20

Krahas problemeve të brendshme dhe atyre në arenën ndërkombëtare, shteti i Kosovës këtë vit do të ketë fokus të veçantë edhe në ballafaqimin me Gjykatën Speciale e cila deri më tani ka ftuar për intervistim disa ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Gjykata Speciale do të jetë një sfidë nga e cila Kosova do të dalë edhe më e fuqishme. Ai i ka ftuar bashkëluftëtarët që t’u përgjigjen thirrjeve të Dhomave të Specializuara sepse, sipas Veselit, sado e padrejtë të jetë kjo gjykatë, primar duhet të jetë interesi kombëtar i shtetit tonë. “Gjykata Speciale do të jetë një sfidë nga e cila Kosova do të dalë edhe më e fuqishme. Nga kjo sfidë edhe më e fuqishme do të dalë lufta e drejtë dhe e shenjtë e UÇK-së. Sfidat janë procese që nuk e ndalin Kosovën. Ne do ta vazhdojmë rrugëtimin tonë, do t’i përgjigjemi kësaj sfide. Ftoj të gjithë bashkëluftëtarët t’u përgjigjen thirrjeve të Dhomave të Specializuara. Sado e padrejtë kjo Gjykatë, sado sfiduese, ne duhet ta kemi çdoherë primar interesin kombëtar të shtetit tonë”, ka deklaruar Veseli për gazetën “Epoka e re”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se ky vit nuk do të jetë i lehtë për Kosovën për shkak të sfidës së dialogut me Serbinë dhe Gjykatës Speciale, por ai ka bërë me dije se do t’i përkrahë të gjitha ata që do të përballen me këtë gjykatë. Sipas Haradinajt, nuk duhet të ndodhë që ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së të bëjë ndonjë veprim të pahijshëm dhe të pandershëm për Kosovën. “Si Aleancë besoj se kurrë punët më mirë për zgjedhje nuk i kemi pasur, por nuk e di sa është në interes të vendit shkuarja në zgjedhje të reja në proceset që është Kosova. Asnjëherë nuk do t’i kërkoj zgjedhjet për interes të Aleancës. Ne jemi të gatshëm për këtë proces nëse dikush e vlerëson atë si hap të duhur. Do të ishte më mirë që këtë vit ta shfrytëzojmë për përfundimin e disa punëve që kanë mbetur pa u kryer. Do të ishte mirë që ta përmbyllim sovranitetin tonë të brendshëm dhe ta mbyllim marrëveshjen me Serbinë e cila ka mbetur hapur dhe e cila do ta na sillte njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB. Viti 2019 do të jetë një vit i rëndë, sepse do të jenë edhe implikimet e Gjykatës Speciale. Mirëpo qëllimi im është ta ruajmë Kosovën. Nuk do të kërkoj zgjedhje. Do ta kërkoj vetëm konsolidimin e Kosovës. Po ashtu, jam i interesuar t’i ruaj ish-pjesëtarët e UÇK-së, pra t’i përkrah të gjitha ata që përballen me këtë sfidë. Ne duhet ta nderojmë veten edhe para drejtësisë, duke mos u turpëruar. Nuk duhet të ndodhë që ndonjë ish-pjesëtar i UÇK-së të bëjë ndonjë veprim të pahijshëm dhe të pandershëm për Kosovën”, ka deklaruar Haradinaj për gazetën “Epoka e re”.

Tomë Gashi: Kosova ta rritë fondin për mbrojtjen e të akuzuarve nga Specialja

Edhe avokati Tomë Gashi ka thënë të premten se do të jetë sfiduese për Kosovën ballafaqimi me Gjykatën Speciale. Ai ka theksuar se e vetmja e mirë që tani mund të bëjë shteti i Kosovës është që ta rrisë fondin për mbrojtjen e atyre që do të akuzohen nga Gjykata Speciale. Sipas tij, është tepër e vogël për të mos thënë qesharake shuma prej një milion e 500 mijë eurosh që është ndarë për të akuzuarit, avokatët, familjet e të akuzuarve dhe për dëshmitarët. “Kosovës si shtet i pavarur askush nuk ia ndalon që ta rrisë fondin për mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale që të mund të formohen ekipet më të mira të avokatëve në mënyrë që të ofrohet mbrojtja sa më efektive juridike që mundësisht asnjë prej ish-pjesëtarëve të UÇK-së të mos gjendet fajtor për veprat morbide të cilat i përmend raporti i senatorit Dick Marty”, ka thënë Gashi për gazetën “Epoka e re”.

Avokati ka thënë se Gjykata Speciale, përkatësisht Zyra e Prokurorit Special, ka filluar punën dhe tashmë disa të dyshuar janë ftuar të japin deklarata, e disa prej tyre veçse i kanë dhënë deklaratat në dhjetor të vitit 2018. Gashi ka paralajmëruar se akuzat e para do të ngrehën në pjesën e parë të këtij viti por, sipas tij, askush nuk e di se kush do të akuzohet. “Ky është vetëm fillimi dhe askush nuk duhet të mendojë që Gjykata Speciale do të merret me 7 apo 8 persona që i ka ftuar deri më tani. Ende nuk kemi raste të gjykimit, nuk kemi as raste të akuzave, por këto me siguri se do të ndodhin gjatë këtij viti. Akuzat e para me siguri se do të ngrehën në pjesën e parë të këtij viti, por askush nuk e di se kush do të akuzohet. Aktualisht kemi vetëm persona të dyshuar”, është shprehur Gashi, duke shtuar se Gjykata Speciale do të merret me periudhën prej 18 muajve gjatë luftës dhe 18 muajve pas luftës.

Shqipe HETEMI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mos efikasiteti i duhur në fazën e sulmit i ka…