Sfidë kryesore në Drenas mbetet ndalimi i ndërtimeve pa leje

28 maj 2019 | 11:13

Drejtoresha e Inspeksionit në Komunën e Drenasit, Aurora Berisha, ka bërë me dije se ndalimi i ndërtimeve pa leje në këtë komunë mbetet sfida kryesore e këtij sektori.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se inspeksioni në këtë komunë realizon inspektime të rregullta në terren duke parandaluar zhvillimin e ndërtimeve pa leje dhe duke iu kërkuar investitorëve që t’i respektojnë procedurat e aplikimit të lejes.

Në këtë intervistë Berisha ka treguar edhe për sfidat që ka hasur në punën e përditshme.

Ajo ka vlerësuar se mbështetja politike që kryetari Ramiz Lladrovci i jep asaj dhe gjashtë drejtoreshave të tjera ua ka lehtësuar punën shumë

“Epoka e re”: Znj. Berisha, së fundmi dhjetëra qytetarë të Drenasit janë helmuar nga ushqimi. Si është gjendja e pacientëve dhe nga çfarë janë helmuar këta qytetarë?
Berisha: Më 17 maj Komuna e Drenasit, konkretisht Drejtoria e Inspeksionit, pas njoftimit se janë lajmëruar në shërbimin shëndetësor në QKMF-në e Drenasit rreth 14 raste me helmim nga ushqimi, ka marrë masat për verifikim në terren ndaj lokalit ku janë ushqyer këta persona, me ç’rast është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe Stacioni Policor në Drenas për mbylljen e lokalit të dyshimtë dhe janë marrë mostrat ushqimore nga ky lokal. Më pas, me pranimin e analizave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të mostrave ushqimore dhe vërtetësisë se helmimi është shkaktuar nga ushqimi, lokali është mbyllur dhe lënda është përcjell në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Drenas. Gjendja e lokalit do të përcillet nga inspektorati komunal i Drenasit. Gjendja e 26 pacientëve të shtruar në spital është e mirë dhe jashtë rrezikut për jetë në bazë të raportit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Numri i përgjithshëm i të prekurve me këtë infektim është 88 persona, 26 prej janë trajtuar në QKUK – Klinikën Infektive, të tjerët janë në qendrat e mjekësisë familjare në Drenas. Sipas raportit të IKSHP-së, helmimi ka ardhur nga sosi dhe majoneza shërbyer klientëve të lokalit, ndërsa nga pacientët e hospitalizuar, 16 raste i takojnë gjinisë mashkullore, 11 gjinisë femërore.

“Epoka e re”: Pas këtij rasti ka ndërmarrë ndonjë masë shtesë inspektorati komunal i Drenasit ndaj lokaleve afariste apo hoteliere në këtë komunë?
Berisha: Drejtoria e Inspeksionit në kuadër të inspektorëve sanitarë është duke kontrolluar çdo kuzhinë dhe subjekt afarist i cili ofron shërbime ushqimore ndaj qytetarëve dhe duke i pajisur me libreza sanitare. Sepse ofrimi i kushteve standarde sanitare-higjienike është kusht që këto subjekte të jenë funksionale. Gjithashtu, inspektorati i Komunës së Drenasit u bënë thirrje lokaleve afariste hoteliere të kenë kujdes gjatë shërbimit të ushqimit, sidomos gjatë kohës së temperaturave të larta, po ashtu edhe qytetarët duhet të kenë kujdes në higjienën e tyre gjatë ushqimit.

 “Epoka e re”: Aksionet e kontrolleve të ushqimit, a janë vetëm në raste të veçanta apo i keni të rregullta, si dhe sa inspektorë janë në komunën tuaj që merren me këtë lëmë?
Berisha: Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Drenasit realizon kontrolle të rregullta mujore ndaj të gjitha subjekteve që tregtojnë produkte ushqimore duke inspektuar kushtet e ruajtjes dhe afatin, dekleracionin, prejardhjen dhe temperaturën. Kontrollet e veçanta realizohen gjatë festave të ndryshme kur është paraparë të ketë zbritje dhe kuptohet se produktet mund të jenë të vjetra, pa afat apo jashtë standardeve, dhe qëllimi ynë është t’i evitojmë këto telashe. Mirëpo kontrollet e rregullta mujore na ndihmojnë që gjatë festave mos të hasim në parregullsi të tilla.

“Epoka e re”: Cili nga sektorët e inspeksionit komunal përbën telashe më tepër dhe si e menaxhoni?
Berisha: Në Komunën e Drenasit kemi Sektorin e Ambientit, Sanitarisë, Komunikacionit, Tregut dhe Ndërtimit. Sektori i Ndërtimit është më i komplikuari duke pasur parasysh se që nga paslufta kemi të bëjmë me kategori të ndryshme ndërtimi të vrazhdë duke sjell kështu rreth 14 000 ndërtime të egra në komunën tonë. Ne realizojmë inspektime të rregullta në terren duke parandaluar zhvillimin e ndërtimeve pa leje dhe duke u kërkuar investitorëve që t’i respektojnë procedurat e aplikimit të lejes. Kjo ka qenë dhe do të jetë sfida më e madhe e inspeksionit dhe jo vetëm në Komunën e Drenasit. Kjo telashe qëndron edhe në nivelin qendror edhe në komunat e tjera. Deri më tani ne si komunë ia kemi dalë ta ndalojmë ndërtimin në zonën e komasacionit dhe tokave nën ujitje në gjithë shtrirjen e territorit të komunës sonë. Kjo paraqet tejkalim të një sfide mjaft të madhe sa i përket këtij sektori.

“Epoka e re”: Sa e vështirë është që një femër të jetë në krye të Drejtorisë së Inspeksionit?
Berisha: Gjithmonë është sfiduese të jesh në krye të Drejtorisë së Inspeksionit pavarësisht grua apo burrë qoftë udhëheqësi. S’mund të them se paraqet shumë sfidë të qenit grua sepse në Komunën e Drenasit kryetari Lladrovci në pushtetin qeverisës ka 60 për qind gra dhe 40 për qind burra, pra prej 12 drejtorive, 7 nga to udhëhiqen nga gratë, duke e thyer barrierën se drejtori duhet të jetë vetëm burrë. Drejtoria e Inspeksionit paraqet shumë sfida duke sjell ligjvënie në çdo sektor si dhe ndëshkime për mosrespektim të ligjshmërisë. Do të ishte e pamundur të menaxhohet suksesshëm pa përkrahjen politike të kryetarit të komunës. Kryetari Lladrovci që nga marrja e besimit të qytetarëve është zotuar për ligj 100 për qind dhe respektim të tij në çdo procedurë, prandaj kjo përkrahje e lehtëson edhe punën si Drejtoreshë e Inspeksionit, sepse nuk kemi asnjë ndërhyrje politike dhe lëshim.

Qendresa RAMA

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje (LV) nëpërmjet një komunikate për medie ka reaguar…