LV-ja reagon për zhvillimet në ‘Trepçë’, thotë se po zaptohet kjo ndërmarrje

28 maj 11:08

Lëvizja Vetëvendosje (LV) nëpërmjet një komunikate për medie ka reaguar ndaj zgjedhjes se kryeshefit ekzekutiv të ‘Trepçës’ Basri Ibrahimin dhe sekretarit korporativ Afrim Haxhiu.

Sipas kësaj partie, secili prej këtyre është i njohur për lidhje me koniunkturën e pushtetit që ka kapur shtetin.

“Bordi plotësisht jo profesional dhe i kapur i Trepçës e bëri dje dhe një akt tjetër për zaptimin e Trepçës”, është thënë në komunikatën e Vetëvendosjes.

Komunikata e plotë e Lëvizjes Vetëvendosje:   

Ditën e djeshme është njoftuar se bordi i Trepçës ka zgjedhur kryeshefin ekzekutiv Basri Ibrahimin dhe sekretarin korporativ Afrim Haxhiun. Secili prej këtyre i njohur për lidhje me koniunkturën e pushtetit që ka kapur shtetin, pra me krerët e PDK-së e ShIK-ut.

Basri Ibrahimi është aktualisht kryeinspektor i Inspektoriatit të punës, i njohur për lidhjet e tij me Elmi Reçicën, por pa asnjë përvojë as në industri as në drejtimin e ndonjë ndërmarrjeje të madhe dhe me plot dështime në institucionin që drejton.

Ibrahimi u zgjodh aty për ta zbatuar planin që e kanë tash sa kohë për ta zaptuar plotësisht Trepçën dhe për ta dërguar drejt falimentimit si përligje e kërkesave për privatizim të pjesëve të saj.

Afrim Haxhiu, i afërmi i deputetit Bekim Haxhiu, sekretar në Këshillin e Sigurisë së Kosovës, ish punonjës në AKI, po ashtu pa asnjë përvojë në drejtimin e ndonjë ndërmarrje të tillë u zgjodh për të njëjtat arsye. E gjitha kjo në kohën kur gjendja financiare në Trepçë është tejet e rëndë.

Bordi plotësisht jo profesional dhe i kapur i Trepçës e bëri dje dhe një akt tjetër për zaptimin e Trepçës.

Ne do t’i kërkojmë Kuvendit të Kosovës të marrë masa për largimin e personave të tillë. Po ashtu do ta përkrahim sindikatën dhe punëtorët e Trepçës që mos t’iu nënshtrohen atyre dhe të kërkojnë largimin e tyre.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Behxhet Sh. SHALA - BAJGORA Këshilla dietale apo delikte morale:…