Shabani: Gjilani do të rikthehet duarbosh nga Klina

28 tetor 2021 | 11:08

Dukagjini e zhvillon ndeshjen e radhës ndaj Gjilanit në kuadër të javës së dymbëdhjetë në Superligë. Bujar Shabani shpreh optimizëm se Dukagjini mund të arrijë fitore në këtë ndeshje.

Skuadra e Dukagjinit nga Klina është rikthyer në këtë edicionin në Superligën e Kosovës në futboll me synime të mëdha, por në dhjetë xhirot e para kjo skuadër nuk ka arritur të marrë më të mirën, ani pse diferenca e pikëve me skuadrat e tjera nuk është e madhe. Pas humbjes nga Drita në fundjavën e kaluar, ndeshjen e radhës kjo skuadër e zhvillon me klubin tjetër nga qyteti i Gjilanit, Gjilanin e drejtuar nga Ismet Munishi. “Në këtë sezon nuk është se kemi marrë atë që e kemi merituar. Kemi bërë lojëra shumë të mira, por rezultatet pozitive na kanë munguar në disa ndeshje”, ka deklaruar Shabani.

Futbollisti Bujar Shabani, që është ndër lojtarët me përvojën me të madhe në futbollin e Kosovës, ka folur edhe për ndeshjen e radhës. Ai ka thënë të mërkurën për “Epokën e  re” se Dukagjinin e pret një ndeshje shumë e vështirë, por përgatitjet janë duke u bërë për të nxjerrë një rezultat të favorshëm.

“Ndeshjen e radhës e zhvillojmë kundër Gjilanit që do të jetë mjaft e vështirë. Kundërshtari i radhës ka një ekip cilësor me lojtarë shumë të mirë çka dëshmojnë edhe rezultatet e tyre në këtë sezon, por ne jemi duke u përgatitur dhe me pak fat besojmë se mund t’i marrim pikët e plota. Mungesa e vetme për këtë ndeshje është ajo e Ilir Sylës për shkak të kartonit të kuq”, ka thënë Shabani.

Dukagjini ndeshjen e parë të këtij sezoni si mysafir i Gjilanit e luajti 0-0, derisa nga njëmbëdhjetë ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar dy fitore, katër barazime dhe pesë humbje. Klubi nga Klina renditet në vendin e tetë me 10 pikë, aq sa kanë edhe dy skuadrat e tjera Ulpiana dhe Feronikeli.

Rezultatet e Dukagjinit

Ballkani – Dukagjini       2-2
Dukagjini – Drenica        1-2
Gjilani – Dukagjini          0-0
Feronikeli – Dukagjini    1-0
Dukagjini – Prishtina      1-2
Ulpiana – Dukagjini        0-0
Dukagjini – Drita             2-1
Llapi – Dukagjini             1-0
Dukagjini – Malisheva    2-0
Dukagjini – Ballkani       0-0
Drenica – Dukagjini        2-0
Dukagjini – Gjilani          ?-?

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur sot rezultatet përfundimtare…