Shabani: Kosova do të ketë paraqitje dinjitoze në Evropianin U19

11 korrik 2019 | 15:07

Përzgjedhësi i ekipeve përfaqësuese të Kosovës në hendboll (femrat), Agron Shabani, është i kënaqur me punën që është bërë nga hendbollistet në Raiffeisen Kampin e mbajtur në Gjakovë e, po ashtu, me përgatitjet që po bën Përfaqësuesja U19, e cila po përgatitet në Gjakovë për Kampionatin Evropian, Divizioni B, që mbahet në Lituani. Kosova U19 është në Grupin A, ndërsa ndeshjen e parë e luan më 15 korrik ndaj Turqisë.

Më 16 korrik takohet me Çekinë, ndërsa tri ditë më vonë takohet me Ishujt Faroe. Më pas Kosova U19 ka edhe ndeshjet për plasman përfundimtar. Shabani është me hendbollistet prej fillimit të kampit, ndërsa tani së bashku me trajnerin e grupmoshës U19, Faruk Shala dhe trajneren e portiereve, Valbona Rudaku, po vazhdojnë punën me Përfaqësuesen e kësaj grupmoshe. Shabani do të jetë me ekipet U19 e U17 në evropianët e kësaj vere, i cili mbahet në Itali gjatë muajit gusht. “Me punën që kemi bërë së bashku me stafin jam shumë i kënaqur. Kemi punuar intensivisht me dy grupe, çdo ditë nga gjashtë orë. Edhe pse ishte vapë e madhe, nuk jemi kursyer duke punuar. Mendoj se shumë vajza të reja dhe me perspektivë kanë marrë me vete përvojë të madhe dhe shumë risi në zhvillimin e talentit që e kanë”, ka thënë Shabani.

Puna me U19 ka filluar me të nisur kampi, ndërsa është vazhduar prej të dielës vetëm me këtë grupmoshë. Pra, nuk është ndalur fare. Gjatë kampit është bërë seleksionimi i vajzave, ndërsa tani stafi i trajnerëve po punon për përgatitje të ekipit për kampionat evropian. “Mendoj se duke iu falënderuar vajzave të cilat vijnë nga diaspora, por edhe atyre që karrierën e zhvillojnë në Kosovë, kemi mundësi që së paku të prezantohemi me dinjitet në Evropian. Të gjitha vajzat e ftuara nga trajneri Faruk Shala janë paraqitur në fazën përgatitore, por disa, për fat të keq, është dashur të largohen në momentin e fundit për shkak të provimeve pranuese që i kanë në fakultet më 15 korrik. Bëhet fjalë për Blerta Ahmetxhekajn dhe Yllka Shatrin që nuk do të udhëtojnë në Evropianin që mbahet në Lituani”, ka deklaruar Shabani.

U19-shet të shtunën udhëtojnë për në Lituani, kurse U17-shet evropianin e kanë në Itali gjatë muajit gusht. “Për Përfaqësuesen U17 ishte grumbullimi i parë gjatë kampit. E kemi bërë seleksionimin dhe jemi në formim të ekipit. Vajzat prapë bashkohen në përgatitje para se të udhëtojmë në Itali. Janë disa vajza nga diaspora që kanë përvojë më të madhe dhe me ato bashkohen disa vajza të talentuara nga ekipet tona. Por do të përpiqemi maksimalisht për paraqitje të dinjitetshme”, ka përfunduar Agron Shabani.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka komentuar çështjen e incizimeve…