Shabani pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK në Gjakovë: Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë të përkushtimit për Gjakovën
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, Ervin Shabani, ka mbledhur sot Këshillin Drejtues të Degës për të analizuar rezultatin e zgjedhjeve lokale dhe angazhimin gjatë fushatës.
“Sot takuam Këshillin Drejtues të Degës, ku analizuam me kujdes rezultatet e zgjedhjeve lokale, punën e bërë gjatë fushatës dhe angazhimin e secilit anëtar të ekipit tonë”, ka thënë Shabani.
Ai e ka cilësuar takimin si “reflektues, të hapur dhe konstruktiv”, ku, sipas tij, secili anëtar ka dhënë mendimet e veta për mënyrën se si të forcohen më tej strukturat e partisë dhe besimi i qytetarëve.
“Rezultati që arritëm është dëshmi e përpjekjeve të sinqerta, e bashkëpunimit dhe e besimit që po ndërtojmë hap pas hapi me qytetarët tanë”, ka shtuar ai.
Shabani ka theksuar se procesi zgjedhor ka sjellë mësime të rëndësishme “për fuqinë e ekipit, për rëndësinë e vizionit të qartë dhe për nevojën e një angazhimi të vazhdueshëm”.
“Ju garantoj se unë nuk ndalem me kaq. Ky është vetëm fillimi i një rruge të gjatë të përkushtimit, punës dhe përgjegjësisë ndaj qytetit tonë. Me energjinë dhe besimin që kemi fituar, do të vazhdojmë të jemi zëri i qytetarëve, të sjellim ide të reja dhe të punojmë çdo ditë për Gjakovën që e meritojmë të gjithë”, ka përfunduar ai.



