Shala, bashkëpunëtorëve të Kurtit: Shpifjet nuk kalojnë, shihemi në gjykatë!

28 dhjetor 2023 | 13:53

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka reaguar zyrtarëve të qeverisë Kurti, të cilët sipas tij kanë nisur një fushatë të ulët ndaj familjes së tij.

Duke mos përmendur emra të përveçëm, Shala ka thënë se njerëz të afërt të kryeministrit Albin Kurti janë duke bërë propagandë ndaj tij dhe familjes.

“Gruaja ime Sala nuk punon dhe as që ka qenë ndonjëherë e angazhuar në Feronikel. Djali im Pëllumbi, nuk punon dhe as nuk ka punuar ndonjëherë në KRPP. Vajza ime, nuk punon dhe as që ka punuar ndonjëherë në BQK, dhe për më tepër, unë kam vetëm një vajzë, dhe jo dy. Dhëndri im, nuk ka funksion të drejtorit. Enver Berisha, miku im punon dhe jeton në Gjermani, nuk ka asnjë lidhje me kompaninë në fjalë”, ka shkruar Shala në “Facebook”, duke parlajamëruar padi për shpifje ndaj tij.

Postimi i plotë:

Shpifjet po vazhdojnë!

Skuadra të ngushta të kabinetit të kryeministrit janë në panik.
Në mungesë të argumenteve profesionale, të zënë mes skandaleve të njëpasnjëshme të kësaj qeverie, po vazhdojnë me të vetmin mjet që ata dinë dhe kanë; shpifjet dhe propagandën. Kësaj radhe në drejtim timin, duke mos kursyer as familjen time.

Shpifja është veti e ulët njerëzore, akoma më e ulët bëhet, kur del nga kabineti dhe njerëz të afërt të kryeministrit Kurti.
Një foto e shpërndarë me emrin tim, duke aluduar në pjesëtarë të familjes sime dhe pozitat e tyre nëpër organe shtetërore, është tërësisht e pavërtetë, deri në absurditet.

1. Gruaja ime Sala, nuk punon dhe as që ka qenë ndonjëherë e angazhuar në Feronikel.
2. Djali im Pëllumbi, nuk punon dhe as nuk ka punuar ndonjëherë në KRPP.
3. Vajza ime nuk punon dhe as që ka punuar ndonjëherë në BQK, dhe për më tepër, unë kam vetëm një vajzë, dhe jo dy.
4. Dhëndri im, nuk ka funksion të drejtorit.
5. Enver Berisha, miku im, punon dhe jeton në Gjermani, nuk ka asnjë lidhje me kompaninë në fjalë.

Emra dhe informata të tjera që aludohen si anëtarë të familjes janë imagjinatë – ose shpifje e qëllimshme për ta bërë më të besueshme propagandën.

Shpifjet në drejtim timin dhe familjes nuk kalojnë, do t’i shkojmë deri në fund me rrugë ligjore.
Nëse brenda ditës nuk ka kërkim falje publike dhe tërheqje të shpifjeve, me shpifësit takohemi në gjykatë!

Kujtojmë se dje zëvendësministri Avni Zogiani, ka publikuar një fotografi në “Facebook”, ku sipas tij familjarë të Shalës janë të punësuar në institucionet publike.

No description available.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Limaj shpall të pavlefshme certifikatën e provimit të Jurisprudencës…