Shala: FSK-ja do të transformohet me ose pa ndryshime kushtetuese

29 janar 16:38

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Haxhi Shala, ka thënë se transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura do të ndodhë me ose pa ndryshime kushtetuese.

Deputeti i Nismës ka bërë me dije se me një angazhim të institucioneve tona dhe të bashkësisë ndërkombëtare mund të arrihet te një marrëveshje që ndryshimet kushtetuese për formimin e ushtrisë t’i përkrahë edhe Lista Serbe.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Shala ka treguar se lobimi për këtë çështje duhet të shkojë deri tek presidenti i Serbisë.

“Mendoj se me një lobim të sinqertë nga institucionet tona do të arrijmë një marrëveshje. Por, duhet kërkuar edhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të ndikojë tek presidenti serb, pra të lobojnë në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese për t’i formuar Forcat e Armatosura”, ka thënë Shala. Ai ka paralajmëruar se nëse kjo nuk ndodh, atëherë Kosova do ta bëjë ushtrinë e vet edhe pa ndryshime kushtetuese. “Edhe nëse nuk ndodh me ndryshime kushtetuese, ne edhe me anë të ligjit do të arrijmë të kemi një transformim të FSK-së. Me anë të këtij ligji ne vetëm emrin s’mund t’ia ndërrojmë, kurse të gjitha elementët e tjera mund t’ia atribuojmë FSK-së”, është shprehur ai.

Shala ka vlerësuar se çështja e ushtrisë do të diskutohet në Kuvend në muajin maj.

“Në planin legjislativ që do ta kemi në muajin maj pritet ta sjellim edhe Ligjin për FSK-në në Kuvend. Kështu është paraparë të jetë. Pra, në planin strategjik e kemi futur edhe FSK-në. Besoj se edhe kryeministrit i vendit, z. Haradinaj, por edhe kabineti qeveritar do të bisedojnë me partnerët e koalicionit, edhe me Listën Serbe për këtë çështje, në mënyrë që mos të shkohet me Ligj për transformimin e FSK-së, por të shkohet me ndryshime kushtetuese”, ka thënë Shala.

Sa i përket gjendjes së sigurisë në vend, Shala ka thënë se është e qetë. Ai ka thënë se vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq nuk mund të ndikojë në destabilizimin e gjendjes në veri.

 “Epoka e re”: Z. Shala, pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, cila është gjendja e sigurisë në vend, veçanërisht në pjesën e veriut?
Shala: Në komisionin që unë udhëheq javën që shkoi ishte i ftuar të raportojë për sigurinë në vend drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi. Sipas informacioneve që kemi deri tani, gjendja e sigurisë në vend është në nivelin e duhur. Kemi pasur raste kur në medie raportohej se mund të ketë trazira rreth sigurisë në vend, por ju them se situata e sigurisë deri më tani është e qetë në gjithë territorin e Kosovës.

“Epoka e re”: Disa ditë para se të ndodhë vrasja e Oliver Ivanoviqit kishte një paralajmërim nga Departamenti Amerikan i Shtetit për qytetarët amerikanë që veprojnë në Kosovë, që mos ta vizitojnë pjesën e veriut. Nuk mund të konsiderohet ky si paralajmërim se situata mund të eskalojë?
Shala: Edhe për këtë çështje kemi biseduar. Situata e sigurisë në vend është nën vëzhgimin e institucioneve të sigurisë. Sa i përket terrorizmit dhe pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në ISIS, ne nuk kemi pasur raste që kanë të bëjnë me grupe apo me numër të madh individësh. Shkuarjet e disa individëve në Siri ishin më shumë individuale. Pra, nuk besoj se mund të ketë sulme terroriste në vend. Nga informacionet që kemi deri më tani nuk mund të themi se kanosemi nga ndonjë situatë terroriste nga shqiptarët, ndërsa është temë tjetër nëse ISIS-i organizon ndonjë sulm me njerëz të shteteve të tjera. Andaj, mund t’ju them se njerëzit që jetojnë në Kosovë apo edhe ata që kanë jetuar në të kaluarën në Kosovë nuk mund të sjellin rrezik sa iu përket sulmeve.

 “Epoka e re”: Prej kohësh flitet për transformimin e FSK-së në ushtri. Kur pritet të ndodhë ky transformim?
Shala: Në planin legjislativ që do ta kemi në muajin maj pritet ta sjellim edhe Ligjin për FSK-në në Kuvend. Kështu është paraparë të jetë. Pra, në planin strategjik e kemi futur edhe FSK-në. Besoj se edhe kryeministrit i vendit, z. Haradinaj, por edhe kabineti qeveritar do të bisedojnë me partnerët e koalicionit, edhe me Listën Serbe për këtë çështje, në mënyrë që mos të shkohet me Ligj për transformimin e FSK-së, por të shkohet me ndryshime kushtetuese.

“Epoka e re”: Sa jeni optimist se Lista Serbe do t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri?
Shala: Në qoftë se nuk ndodhin ndryshimet kushtetuese, atëherë me ligj do t’i japim kompetenca shtesë FSK-së. Në këtë kontekst besoj se edhe qytetarët serbë në Kosovë e kanë kuptuar se Republika e Kosovës është vendi ku do të jetojnë ata dhe fëmijët e tyre. Bazuar edhe në deklaratën e presidentit serb që ishte në Kosovë, u nënkuptua se serbët e Kosovës duhet ta kthejnë kokën kah institucionet e sigurisë në vend. Mendoj se me një lobim të sinqertë nga institucionet tona do të arrijmë një marrëveshje. Por, duhet kërkuar edhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të ndikojë tek presidenti serb, pra të lobojnë në mbështetje të ndryshimeve kushtetuese për t’i formuar Forcat e Armatosura. Edhe nëse nuk ndodh me ndryshime kushtetuese, ne edhe me anë të Ligjit do të arrijmë që të kemi një transformim të FSK-së. Me anë të këtij ligji ne vetëm emrin s’mund t’ia ndërrojmë, kurse të gjitha elementet e tjera mund t’ia atribuojmë FSK-së.

“Epoka e re”: Sa është e gatshme Kosova ta ketë ushtrinë e vet kur dihet se ushtria kërkon buxhet shtesë për armatim dhe trajnime?
Shala: Në këtë aspekt ne po e bëjmë ushtrinë që t’ia ndërrojmë misionin dhe të kemi mundësi të kapaciteteve operacionale në FSK. Ne jemi të pajisur me kazerma dhe me armatim. Përpjekja e institucioneve të Kosovës është t’i japim detyra shtesë FSK-së, pastaj të veprojmë në bazë të ligjit. Është me rëndësi t’i fillojmë procedurat në transformimin e FSK-së që kjo forcë të ketë mision të ri. Kurse sa i përket çështjes së armatimit dhe buxhetit, nuk do të jetë fort problem. Pjesëtarët e FSK-së janë të trajnuar mirë. Ata kanë marrë pjesë në shumë trajnime dhe kanë fituar çmime në gara të ndryshme ndërkombëtare. Ne mund të marrim donacione edhe nga NATO-ja dhe shtetet e tjera, pasi edhe atyre mund t’u nevojitet FSK-ja kur bëhet fjalë për sigurinë e nivelit të lartë, jashtë vendit.

“Epoka e re”: Ka pasur deklarime se edhe nëse transformohet FSK-ja në ushtri, ajo nuk mund të shkojë në veri.
Shala: Gradualisht gjërat kanë filluar të ndryshojnë pasi kanë filluar bisedimet në Bruksel. Pra, ata kanë filluar të integrohen në sistemin gjyqësor. Kështu që, për sigurinë e tyre ata do të binden që ta kenë atje edhe FSK-në.

“Epoka e re”: Këto ditë kishte deklarata nga zyrtarë të lartë të Serbisë se “Serbia për tri orë mund ta pushtojë veriun e Kosovës”?
Shala: Jemi mësuar tashmë me deklarata të tilla të zyrtarëve serbë. Gabimet që i kanë bërë më parë serbët, tani po i bëjnë prapë. Individi që ka deklaruar kështu ka mundësi të ketë qenë i dehur dhe i ndikuar nga folklori i tyre.

Albulena S. MAVRAJ

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka pritur të…