Shala për “Ferronikelin”: E rëndë të mendosh se qeveria i trajton ndërmarrjet mbi bazat e zonave elektorale

19 tetor 2021 | 11:36

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se Kosova e ka kaluar edhe një provim me mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

“Në emër të grupit parlamentar të PDK-së ju falënderoj përzemërsisht për kulturën e lartë të treguar në zgjedhjet e fundit. Kjo kulturë na bën të dinjitetshëm si shtet dhe komb, një kulturë që do ia dëshiroja shumë edhe institucioneve, qeverisë së këtij vendi. Konsideroj se kemi dhënë një provim të përbashkët të madh para opinionit vendor dhe ndërkombëtar e të cilën e kemi obligim ta ruajmë dhe kultivojmë në shkallën më të lartë të mundshme”, ka thënë Shala në Kuvendin e Kosovës.

Më tutje, ai ka ngritur edhe çështjen e gjigantit metalurgjik “Ferronikeli”, duke ngritur dyshime se i njëjti është mbyllur përkohësisht për shkak të shantazhimit, siç e quan ai nga qeveria për atë rajon.

“Para pak ditësh, saktësisht në kohën e fushatës zgjedhore, ‘Ferronikeli’ me mbi 1 000 punëtorë falimentoi apo u mbyll përkohësisht. Ku është qeveria në këtë relacion? 1 000 punëtorë të cilët në kohë pandemie dhe krize, për koincidencë edhe kohë fushate, janë në shtëpitë e tyre. Është një problem i madh social para së cilit qeveria jo vetëm që hesht, por nuk do të dëgjojë. A ka ndodhur diku që 1000 punëtorë të shkojnë në shtëpi dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Tregtisë hesht para një gjiganti të tillë industrial që ka qenë krenari rajonale, dhe ndoshta edhe evropiane. Si ka mundësi që qeveria t’i klasifikojë ndërmarrjet private dhe publike në kohë pandemie? Si ka mundësi që qeveria përkundër miratimit të Pakos Ekonomike të subvencionojë dhe mbështet ndërmarrjet dhe ekonominë e vendit të jetë kaq indiferente para një rajoni të tërë?”.

“Duhet ta dini që 1 000 punëtorë vijnë kryesisht nga Drenasi, Skenderaj, Mitrovica dhe një pjesë e tyre nga Prishtina. Si ka mundësi që gjiganti ‘Ferronikeli’ së paku dy herë ka kërkuar takim me institucionet e shtetit për të bashkërenduar dhe për të gjetur zgjidhje alternative për të dalë nga kjo krizë dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje as pozitive dhe as negative nga institucionet e shtetit karshi zhvillimit të tillë ekonomik në qendër të Kosovës. Heshtje totale, apo dënim nga institucionet që i bëjnë ekonomisë veçanërisht rajonit të Drenasit që i ka dhënë shumë shtetit të Kosovës dhe ka qenë bartës i të gjitha zhvillimeve sociale, ekonomike dhe historike. Është e rëndë të mendosh se qeveria i trajton ndërmarrjet mbi bazat e zonave elektorale. Gabim i madh nëse mendohet se Drenasi, qytetarët dhe punëtorët e ‘Ferronikelit’ mund të shantazhohen me indiferencë dhe çështje të tilla. Nuk shantazhohen dhe nuk ndryshojnë qëndrim politik Drenasi dhe Drenica, pavarësisht veprimeve indiferente dhe shantazhuese të qeverisë”, ka deklaruar Shala.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy nga banorët e shtëpisë së "Big Brother VIP", Semi…