Shameti: Kukësi shtëpia ime e dytë, por dua të ndihmoj Gjilanin

04 maj 2020 | 21:24

Mbrojtësi Shameti është falënderues ndaj klubit të Gjilanit për mbështetjen e dhënë, kurse premton një kontribut të madh për ketë klub

Ish-mbrojtësi i Kukësit, aktualisht pjesë e Gjilanit në IPKO Superligën e Kosovës, Ylli Shameti ishte në një lidhje direkte me emisionin “FanZone”, ku foli për rikuperimin nga dëmtimi, Gjilanin dhe “divorcin” me Kukësin verën e kaluar.

Sa e vështirë ka qenë të diplomoheni në inxhinieri, duke u marrë njëkohësisht edhe me futboll?
Duke qenë se janë dy profesione shumë larg njëra-tjetrës dhe pa asnjë pikë të përbashkët, mendoj se ka qenë shumë e vështirë, por rëndësi ka që ia dola. Me vullnet shumë të fortë, them se arrita objektivin e vetes, që edhe të diplomohesha paralelisht me futbollin.

Si është gjendja juaj fizike aktualisht?
Në fakt këtë vit nuk e kam nisur shumë mirë, pasi më kanë ndjekur vazhdimisht dëmtimet. Më vjen keq për këtë, pasi nuk kam arritur të kontribuoj sa duhet për klubin e Gjilanit, që më ka mbështetur shumë. Megjithatë nuk kam çfarë të bëj, përveçse të punoj shumë dhe të rikthehem sa më i fortë. Kjo kohë më ka shërbyer të rikuperoj dhe jam gati të rikthehem e të bëj më të mirën.

Kur mendon se do të jesh tërësisht i rikuperuar?
Fillimisht ka rëndësi të nisë stërvitja me ekipin dhe më pas do të kryej edhe ekzaminimet e fundit, për të parë ku jemi me rikuperimin. Duhet shumë punë për të rikuperuar formën e mirë, por nuk më ka munguar asnjëherë këmbëngulja dhe vullneti për të punuar.

U larguat nga një klub si Kukësi, ku kontribuuat për shumë vite. Si ishte divorci me verilindorët?
U largova me kujtime shumë të bukura, pasi isha pjesë e disa arritjeve historike të atij klubi. Ka pasur momente të bukura, por edhe të hidhura, megjithatë ika me falënderime ndaj të gjithëve. Kukësi është një pjesë e rëndësishme e karrierës time dhe besoj edhe unë kam lënë shenjë në atë klub, ndaj jam krenar për këtë.

Trajneri më i mirë me të cilin ke punuar dhe ai më pak i preferuar?
Të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar, kanë qenë shumë të përgatitur dhe kam menduar të marr më të mirën prej secilit, megjithatë më i miri për mua është Ernest Gjoka, me të cilin kemi arritur suksese te Kukësi dhe e kam mik edhe aktualisht.

A do të donit të riktheheshit te Kukësi?
Patjetër që po, sepse pas Gjirokastrës, Kukësi është shtëpia ime e dytë. Kam kaluar 6 vite shumë të bukura aty dhe kam arritur suksese të shumta, ndaj do të më pëlqente të rikthehesha dhe të kontribuoja sërish. Megjithatë për momentin jam i përqendruar te Gjilani, pasi drejtuesit atje janë treguar shumë korrektë me mua dhe nuk kam arritur të jap atë që pritej, për shkak të dëmtimeve.

Ku e shikoni veten në të ardhmen?
Kam edhe një diplomë në fakt, por më shumë e shoh veten në futboll, pasi kam kontribuuar shumë dhe jam më i përditësuar. Në inxhinieri jam diplomuar para 10 vitesh, por nuk e kam ushtruar asnjë ditë profesionin, ndaj do të ndihesha më mirë në futboll. (V.Z / Epoka e re)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar…