SHBA: Arrihet Marrëveshja për hapjen e Qeverisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump bëri të ditur se është arritur Marrëveshja që mundëson hapjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
“Jam shumë krenar të njoftoj se kemi arritur marrëveshje për t’i dhënë fund mbylljes së Qeverisë”, ka deklaruar presidenti amerikan Trump, në një paraqitje nga Shtëpia e Bardhë, 35 ditë pasi Qeveria u mbyll duke lënë 800.000 punëtorë federal pa pagesa.
Mbyllja e Qeverisë erdhi si pasojë e mosmarrëveshjeve ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe ligjvënësve demokratë për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.
Presidenti amerikan Trump kërkon 5.7 milardë dollarë për ndërtimin e murit, mirëpo kjo kundërshtohet nga demokratët që udhëheqin me Dhomën e Përfaqësuesve, transmeton “REL”.
Presidenti amerikan tha se hapja e Qeverisë do të ndodhë për një periudhë tre javore, duke i japur kështu kohë një Komiteti dypartiak të ligjvënësve për t’u takuar dhe për të diskutuar nevojat e sigurisë kufitare të vendit.
Megjithatë presidenti Trump paralajmëroi, se nëse deri më 15 shkurt nuk arrihet një kompromis, atëherë ai mund të mbyllë sërish Qeverinë, ose do të përdorë kompetencat e tij ekzekutive për të shpallur gjendjen e emergjencës, një masë kjo që i lejon atij të përdorë mjetet financiare për ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën edhe pa miratimin e Kongresit.