ShBA-ja e përkushtuar të mbrojë çdo centimetër të territorit të NATO-s

13 tetor 2022 | 12:16

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka riafirmuar përkushtimin e Uashingtonit për të mbrojtur “çdo centimetër” të territorit të NATO-s.

Këto deklarata ai i ka bërë para nisjes së takimit të 30 ministrave të Mbrojtjes së NATO-s. Në takimin e 13 tetorit, ministrat pritet të mbajnë diskutime të mbyllura lidhur me planin bërthamor të aleancës.

Po ashtu, deklaratat e Austinit vijnë pas kërcënimeve të maskuara të presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, pasi ushtria e tij po pëson humbje në fushëbetejë në Ukrainë.

“Ne jemi të përkushtuar të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s, nëse vjen puna deri aty”, ka thënë sekretari Austin, raporton “Rel”.

Në Bruksel, anëtarët e NATO-s të enjten mbajnë takimin e Grupit të Planifikimit Bërthamor, që është një trup i lartë i aleancës për çështjet bërthamore, por edhe që merret me politikat e lidhura me forcat bërthamore.

Ndërsa në margjinat e takimit në Bruksel, një grup prej 13 anëtarësh të NATO-s dhe Finlanda që është në proces të anëtarësimit në këtë aleancë ushtarake kanë nënshkruar një marrëveshje për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore, sikurse “Arrow 3” dhe “Patriot”.

Grupi që ka nënshkruar këtë marrëveshje përfshin Gjermaninë, Britaninë, Sllovakinë, Norvegjinë, Letoninë, Hungarinë, Bullgarinë, Belgjikën, Çekinë, Finlandë, Lituaninë, Holandën, Rumaninë dhe Slloveninë.

Disa prej shteteve anëtare të NATO-s po kërkojnë që të forcojnë sistemet e mbrojtjes ajrore, në dritë të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës. Disa shtete të tjera po zëvendësojnë apo përditësojnë sistemet aktuale, teksa po vazhdojnë të armatosin Ukrainën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për herë të parë, grupi punues për vizat i Këshillit…