ShBA-ja i kërkon Tajlandës dhe Kamboxhias t’i ndalojnë luftimet, ato vazhdojnë

10 dhjetor 2025 | 07:57

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar Tajlandës dhe Kamboxhias që “t’i japin fund menjëherë armiqësive”, pasi përplasjet në kufi u zgjeruan për ditën e tretë radhazi, duke lënë të paktën 10 të vrarë dhe duke zhvendosur qindra mijëra persona.

Dy vendet duhet të zbatojnë masat për uljen e tensioneve të përcaktuara në një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump në tetor, tha sekretari i shtetit, Marco Rubio.

Trump ka thënë gjithashtu se “do të bëjë një telefonatë” për ta ndalur luftën, e cila përbën përshkallëzimin më serioz që nga korriku, kur përplasjet lanë dhjetëra të vdekur, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Të dyja vendet e kanë fajësuar njëra-tjetrën për ri-nisjen e luftimeve, që kanë përfshirë sulme ajrore dhe shkëmbime zjarri artilerie.

Bilanci i të vdekurve gjatë tre ditëve të armiqësive qëndron në 10 – shtatë nga Kamboxhia dhe tre nga Tajlanda. Zyrtarët tajlandezë thanë se kanë evakuuar më shumë se 400 mijë njerëz, ndërsa Phnom Penh tha se 100 mijë persona në anën kamboxhiane janë zhvendosur në strehimore.

Ministria e Mbrojtjes së Tajlandës tha të mërkurën se veprimet ushtarake ishin “të kufizuara në shtrirje dhe të përdorura si opsion i fundit”.

“Paqja duhet të vijë me sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve tanë, pikë”, tha ajo.

Kamboxhia, nga ana tjetër, akuzoi Tajlandën për nisjen e “sulmeve ushtarake agresive” që synonin institucione civile dhe “vende të shenjta kulturore”, përfshirë tempujt historikë përgjatë kufirit të kontestuar.

Po të mërkurën, Kamboxhia njoftoi se po tërhiqej nga Lojërat e Azisë Juglindore që po mbahen në Tajlandë.

Komiteti Olimpik Kombëtar i Kamboxhias përmendi “shqetësimet dhe kërkesat serioze” nga familjarët e sportistëve për t’u tërhequr. Ai shtoi se vendimi “nuk është marrë lehtë”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, u bëri thirrje të dyja palëve të “tregojnë përmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm”, duke theksuar se konflikti ka shkaktuar “viktima të shumta civile, dëmtime të infrastrukturës civile dhe zhvendosje në të dyja anët”.

Mosmarrëveshja mbi kufirin një-shekullor mes dy fqinjëve të Azisë Juglindore u përshkallëzua ndjeshëm më 24 korrik me një sulm raketor nga Kamboxhia drejt Tajlandës, i ndjekur nga sulme ajrore tajlandeze.

Kjo shkaktoi pesë ditë luftime intensive, që lanë dhjetëra ushtarë e civilë të vdekur. Më vonë atë muaj, Bangkoku dhe Phnom Penhi ranë dakord për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar”, të ndërmjetësuar nga kryeministri malajzian Anwar Ibrahim dhe Trump – i cili atëkohë kërcënoi se do të ndalte negociatat tarifore derisa të ndaleshin armiqësitë.

Në tetor, Trump e quajti “arritje historike” përfundimin e konfliktit kufitar pasi të dyja palët nënshkruan marrëveshjen e armëpushimit, por tensionet kanë vazhduar të ziejnë.

Dhuna këtë javë është zgjeruar në të paktën gjashtë provinca në verilindje të Tajlandës dhe pesë provinca në veri dhe veriperëndim të Kamboxhias.

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kontestuar sovranitetin territorial përgjatë kufirit të tyre tokësor 800 km për më shumë se një shekull, që prej vizatimit të kufijve pas pushtimit francez të Kamboxhias.

Këtë javë, disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-në dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për të shmangur udhëtimet drejt zonave kufitare, duke përmendur përplasjet e rinovuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj ministres…