ShBA-ja konfirmon dërgimin e sistemeve anti-tank në Ukrainë

30 prill 2018 | 14:56

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se kanë dërguar sisteme të mbrojtjes anti-tank në Ukrainë, një lëvizje kjo që është mirëpritur nga Kievi.

Por, me gjasë do të ngjallë zemërim në Moskë, e cila është e përfshirë në konfliktin katërvjeçar, duke mbështetur separatistët që luftojnë kundër forcave ukrainase.

“Ato tashmë janë dërguar”, ka thënë një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, në një përgjigje dërguar REL-it, lidhur me dërgimin e sistemeve amerikane Javelins.

Kjo dërgesë duket se e thellon përfshirjen e ShBA-së në konfliktin në Ukrainë dhe shënon një fitore simbolike për Ukrainën, në përpjekjen e saj për të ruajtur mbështetjen perëndimore, në konfliktin që po vazhdon.

Pas disa muajsh të mbushura me debate në Uashington, dhe siç thuhet hezitimit të presidentit amerikan, Donald Trump, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se ka miratuar shitjen e sistemeve Javelin në muajin dhjetor.

Ky njoftim ka nxitur një reagim të ashpër nga Moska, ku zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka akuzuar ShBA-në se “po nxit luftë”.

Ndërsa Departamenti amerikan i Shtetit, nuk ka dhënë detaje të tjera, përveç se ka konfirmuar dërgesën e këtyre sistemeve.

Kievi dhe qeveritë Perëndimore kanë thënë se Moska po furnizon me armë separatistët në Ukrainë dhe po dërgon luftëtarë rusë, për të ndihmuar separatistët që të kontrollojnë territore në kufi me Rusinë, që prej se Moska aneksoi gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili është takuar të hënën…