ShBA-ja kryen stërvitje me Japoninë e Korenë e Jugut, si përgjigje ndaj Koresë së Veriut

20 dhjetor 2023 | 16:07

Bombarduesit amerikanë me rreze të gjata veprimi kryen stërvitje të përbashkëta me avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut të mërkurën, në shenjë force kundër Koresë së Veriut, e cila e kreu testin e parë të raketës balistike interkontinentale pas pesë muajve.

Stërvitja tripalëshe në ishullin pranë Koresë së Jugut, Jeju, kishte për qëllim përforcimin e përgjigjes së përbashkët të këtyre vendeve ndaj kërcënimeve bërthamore nga Koreja e Veriut, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut në një komunikatë.

Në stërvitje janë përfshirë bombarduesit amerikanë “B-1B”, si dhe avionët luftarakë të Japonisë dhe Koresë së Jugut, sipas komunikatës. Kjo ishte hera e 13-të që bombarduesi amerikan fluturon përkohësisht pranë dhe mbi Gadishullin Korean.

Bombarduesi “B-1B” është në gjendje të bartë ngarkesë të madhe të armëve konvencionale. Në të kaluarën, Koreja e Veriut e ka cilësuar fluturimin e bombarduesit amerikan mbi Gadishullin Korean si dëshmi e armiqësive amerikane dhe është përgjigjur duke kryer testime raketore.

Të hënën, Koreja e Veriut e ka lëshuar në det raketën “Hwason-18 ICBM” gjatë një stërvitjeje që kishte për qëllim t’i paralajmëronte Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut për hapa konfrontues. Si arsye për këtë, Koreja e Veriut e ka përmendur një takim të vonshëm në mes të ShBA-së dhe Koresë së Jugut për të biseduar për frenimin e planeve të saj bërthamore.

ShBA-ja, Koreja e Jugut dhe Japonia e kanë kritikuar testimin raketor të Koresë së Veriut duke e cilësuar si provokim dhe duke thënë se i ka shkelur shumë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të cilat ia ndalojnë Veriut aktivitetet balistike.

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thënë se testimi i raketës balistike dëshmoi se Koreja e Veriut mund të përgjigjet nëse Shtetet e Bashkuara do ta marrin “një vendim të gabuar kundër saj”.

Por, shumë ekspertë të huaj thonë se Koreja e Veriut ende përballet me pengesa teknologjike për të zotëruar raketa balistike interkontinentale me kokë bërthamore me të cilat do të mundë ta godiste ShBA-në. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Demokratik i Kosovës ka mbajtur sot tryezën e diskutimit…