SHBA-ja liron të burgosurin më të vjetër të Guantanamos

30 tetor 2022 | 22:54

Këtë fundjavë, i burgosuri më i vjetër në burgun e Guantanamos u lirua. Në moshën 75-vjeçare, Saifullah Paracha u ribashkua me familjen e tij në Pakistan pas më shumë se 17 vjetësh në paraburgim, në bazën amerikane në Kubë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ende të tronditur nga 11 shtatori, u fokusuan për disa vite në Lindjen e Mesme, me qëllim për të gjetur dhe persekutuar këdo që mund të kishte edhe marrëdhënien më të vogël me Al Kaedën.

Në këtë mënyrë, Paracha u bë një objektiv i Shteteve të Bashkuara në vitin 2003, nën dyshimet për përfshirjen e tij në grupin terrorist. Pas më shumë se një viti nga miratimi i lirimit të tij, në maj 2021, ish i burgosuri ka mundur të kthehet në vendin e tij. Shpjegimi për lirimin e tij ishte se “ai nuk ishte një kërcënim i vazhdueshëm për Shtetet e Bashkuara”, sipas fjalëve të Shelby Sullivan-Bennis, avokatit të tij.

“Kam 20 vite i burgosur në Guantanamo, pa gjyq. Zoti Biden, ju lutem, më lironi”, këto ishin fjalët me të cilat i moshuari i drejtohej Presidentit amerikan përmes një letre.

Nga ana e tij, avokati u shpreh i kënaqur, por edhe kujtoi padrejtësitë amerikane prej vitesh: “Kthimi i shumëpritur i Saifullah Paracha në shtëpi ka dy anë. Është një gëzim i papërshkrueshëm, por edhe një kujtesë tragjike se si frika e Amerikës pas 11 shtatorit na çoi në thellësitë e shthurjes njerëzore, duke copëtuar familjet dhe duke i mbajtur anëtarët e tyre në burg për dekada”.

Paracha, një banor në SHBA, zotëronte pronë në Nju Jork dhe konsiderohej si biznesmen në vendin e tij. Sipas autoriteteve, ai ishte bashkëpunëtor financiar i Al Kaedës në sulmet e 11 shtatorit.

SHBA ka deklaruar tashmë në disa raste se mund të mbajë për një kohë të pacaktuar, pa akuzë, çdo person, siç përcaktohet në ligjet ndërkombëtare të luftës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesë zyrtare, Drejtoresha e Infoweb Media, Anisa Bahiti, merr…