ShBA-ja: Rritja e prezencës ushtarake në Gjirin Persik, veprim mbrojtës

14 maj 2019 | 16:33

Përderisa janë duke u rritur shqetësimet për një konflikt ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Iranit, zyrtarët amerikanë u kanë thënë aleatëve evropianë se shtimi i prezencës ushtarake në Gjirin Persik është veprim “mbrojtës” si përgjigje e kërcënimeve që vijnë nga Irani.

Përfaqësuesi i ShBA-së për Iranin, Brian Hook, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se mesazhi për aleatët evropianë është përcjellë nga ana e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Shtëpia e Bardhë është duke i shqyrtuar planet ushtarake për vendosjen e rreth 120 000 trupave në Lindjen e Mesme, nëse Irani do të sulmojë forcat e ShBA-së ose do të përshpejtojë punën për armët bërthamore, ka raportuar gazeta “New York Times”.

Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë komentuar menjëherë raportin.

Përfaqësuesi i ShBA-së për Iranin, Brian Hook, ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke nxitur luftë.

Ai ka potencuar se nëse ShBA-ja nuk e ndërmerr këtë veprim për të mbrojtur veten atëherë kjo do të quhej “neglizhencë”.

Disa analistë kanë thënë se me praninë në rritje të pajisjeve ushtarake amerikane dhe trupave në Gjirin Persik, edhe gabimi më i vogël mund të shkaktojë një konflikt serioz në rajon.

Sekretari i Jashtëm britanik, Jeremy Hunt, para se të takohej me Pompeon në Bruksel, ka thënë se Britania, Franca dhe Gjermania janë “shumë të shqetësuar për rrezikun e një konflikti midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që mund të shpërthejë ‘rastësisht’”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli Ushtarak i Sudanit ka paralajmëruar se nuk do të…