ShBA nis luftanijen drejt Tajvanit: Kina përdor municione të vërteta

10 prill 2023 | 10:45

Pajisje ushtarake e trupa të Kinës janë mobilizuar e kanë rrethuar praktikisht Takvanin për atë që përshkruhet si një “veprim demonstrues”. Ministria tajvaneze e mbrojtjes tha se ka numëruar orët e para të mëngjesit të sotëm 11 luftanije kineze dhe 59 avionë pranë ishullit në ditën e tretë dhe të fundit të stërvitjeve të planifikuara të luftës të Pekinit. Një ditë më parë, u raportuan në aksion 71 avionë dhe nëntë anije luftarake.

Qeveria kineze konfirmoi se në sulmet e simuluara pranë Tajvanit, avionë kinezë bartin municion të vërtetë. Pekini thotë se është mobilizuar gjithashtu edhe aeroplanmbajtësja Shandong, e cila u përdor të dielën si bazë e operacioneve ajrore pranë ishullit japonez të Okinavas.

“Disa grupe avionësh luftarakë H-6K me municion të vërtetë kryen një valë sulmesh të simuluara në objektiva të rëndësishëm në ishullin e Tajvanit,” thuhet në një deklaratë të Komandës Qendrore të ushtrisë kineze. Marina amerikane, ndërkohë, pohoi se destrojeri i saj USS Milius ka kryer një mision mbi liritë e lundrimit në Detin e Kinës Jugore, pranë ishujve Spratly, të pretenduar nga Pekini.

Njoftimi i saj konsiderohet se mund të jetë një përgjigje ndaj stërvitjes kineze. Edhe pse marina e SHBA tha se operacioni i destrojerit është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, Kina e përshkroi manovrën e luftanijes amerikane si “të paligjshme” duke thënë se ajo hyri në mënyrë të paligjshme, pa miratimin e qeverisë kineze në ujërat e barrierës koralore Meiji pranë ishujve Nansha- emri që Pekini përdor për Spratly, ndërsa shtoi se Forcat Ajrore Kineze e “kanë ndjekur luftanijen” nga ajri.

Pekini njoftoi tre ditë stërvitje ushtarake rreth ishullit pasi presidenti i Tajvanit Tsai Ing-Wen u takua me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy në Kaliforni të shtunën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperi Stresi ka zbuluar fjalët e para që i tha…