ShBA, një valë e re kandidatësh republikanë pritet të hyjnë në garën për president

23 prill 2023 | 11:08

Deri më tani vëmendja mbi zgjedhjet paraprake për kandidatin për president të Partisë Republikane është përqendruar kryesisht tek kundërshtitë në rritje mes ish-presidentit Donald Trump dhe guvernatorit të Floridas Ron DeSantis.

Por, pas një qetësie disamujore, një valë e re kandidatësh republikanë pritet të hyjnë në garë, ndoshta që javën e ardhshme.

Ndër ta do të jetë guvernatori i Arkansasit, Asa Hutchinson, i cili do të nisë zyrtarisht fushatën e tij të mërkurën.

Ish-nënpresidenti Mike Pence ka thënë se do të njoftojë planet e tij pas “disa javësh, jo muajsh”. Ai ka pasur një agjendë të ngjeshur me vizita të hershme nëpër shtetet amerikane, ndërsa ka diskutuar me ndihmësit e tij për të bërë njoftimin për kandidim ndoshta që në muajin maj apo qershor.

Senatori nga Karolina e Jugut, Tim Sott, i cili ka krijuar një komitet për të shqyrtuar mundësinë e kandidimit për president, pritet të hyjë në garë në të njëjtën periudhë.

Ish-guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, ka bërë takime me ndihmësat e tij dhe u rikthye këtë javë në Nju Hempshër, ku tha gjatë një takimi publik në këtë shtet, ku zhvillohen zgjedhjet e para paraprake në Shtetet e Bashkuara, se “sot është fillimi i rastit kundër Donald Trumpit”.

Christie ka thënë se do të marrë një vendim “në javët në vazhdim”.

Kandidatët do të futen në garë në një moment jetik, ndërsa DeSantis, i cili ende nuk ka shpallur zyrtarisht fillimin e fushatës po has vështirësi në përmbushjen e pritshmërive shumë të larta që kishin disa nga mbështetësit e tij të hershëm.

Ai ka humbur mbështetje përballë ish-presidentit Trump në radhët e zyrtarëve të zgjedhur republikanë në shtetin e tij dhe ka krijuar shqetësim në radhët e partisë se qëndrimet e tij për abortin dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ, mes çështjeve të tjera, mund ta bëjnë të pamundur fitoren e tij në zgjedhje.

Gjatë javëve të fundit, ish-presidenti Trump ka konsoliduar statusin e tij si kandidati i hershëm kryesues, madje edhe pasi iu ngritën akuza penale në Nju Jork.

Ndër aspirantët e tjerë republikanë janë ish-ambasadorja në OKB dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, si dhe sipërmarrësi në fushën e teknologjisë Vivek Ramaswamy, të cilët njoftuan kandidimin e tyre në muajin shkurt.

Ka ende shumë dinamika të panjohura, përfshirë nëse do të hyjnë në garë guvernatorë të tjerë, si Kristi Noem e Dakotës së Jugut, apo Chris Sununu i Nju Hempshërit. Senatori i Teksasit, Ted Cruz dhe guvernatori i Virxhinias Glenn Youngkin gjithashtu nuk kanë përjashtuar mundësinë e kandidimit.

Presidenti Biden pritet të shpallë fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndoshta që javën e ardhshme.

Ai përballet me konkurrencë miminale në garën për të marrë nominimin e Partisë Demokrate.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kalidou Koulibaly është një fiksim i vjetër i Allegrit, i…