Shefi i “Huawei”-t i bën thirrje SHBA-së të rishikojë politikat ndaj kësaj kompanie

23 shtator 2020 | 17:43

Kompania kineze e teknologjisë, “Huawei” tha se zinxhiri i saj global i furnizimit është nën presion nga Shtetet e Bashkuara dhe i bëri thirrje Uashingtonit të rishikojë kufizimet e tij tregtare.

“Huawei”, prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve të telekomunikacionit është nën trysni nga masat tregtare të ShBA-së që synojnë të pamundësojnë aktivitetin komercial të kompanisë.

“Shtetet e Bashkuara kanë modifikuar sanksionet e tyre për herë të tretë dhe kjo me të vërtetë ka sjellë sfida të mëdha në prodhimin dhe operacionet tona”, u tha gazetarëve në Shangai, shefi i “Huaweit”, Guo Ping.

Shtetet e Bashkuara, të cilat thonë se “Huawei” është një mjet për spiunazhin e shtetit kinez, vendosën sanksione të reja duke ndaluar që kompanitë amerikane të furnizojnë ose servisojnë kompaninë.

“Huawei” ka mohuar vazhdimisht akuzat e SHBA-së.

“Shpresojmë që qeveria amerikane të rishikojë politikën e saj pasi ne jemi akoma të gatshëm të blejmë produkte nga kompanitë amerikane”, tha Guo.

Shtetet e Bashkuara thanë muajin e kaluar se do të zgjeronin një program të quajtur “Rrjeti i Pastër” për të parandaluar aplikacione të ndryshme kineze dhe kompani të telekomunikacioneve të kenë qasje në informacione të ndjeshme mbi qytetarët dhe bizneset amerikane./rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një organizatë private austriake për të drejta të konsumatorit ka…