Shefi i OKB-së ankohet për ‘financim të pamjaftueshëm’ për ndihma humanitare

21 qershor 2023 | 12:02

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka kritikuar të mërkurën atë që ai e ka quajtur “financim të pamjaftueshëm kronik” të ndihmave humanitare në mbarë globin, pavarësisht nevojave në rritje për ndihma të tilla.

“Financimi i pamjaftueshëm kronik dhe nivelet rekorde të nevojave humanitare po e çojnë sistemin deri në pikën e thyerjes, i ka thënë Guterresi, segmentit të çështjeve humanitare të këshillit ekonomik dhe social të OKB-së.

Ai ka thënë se kur ka kaluar gjysma e vitit, janë marrë vetëm rreth 20 për qind e fondeve të nevojshme për ndihma humanitare sipas Apelit Global Humanitar të OKB-së.

“Kjo po shkakton një krizë brenda krizës. Pa një zgjidhje për krizën e financimit, shkurtimet e mëtejshme janë të pashmangshme”, ka thënë ai.

Të hënën, më 19 qershor, donatorët ndërkombëtarë kanë premtuar afro 1.5 miliard dollarë ndihmë për Sudanin, i cili është goditur nga një krizë e rëndë humanitare që ka bërë që rreth 2.2 milionë njerëz të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.

Përpara konferencës, një kërkesë e OKB-së për 2.57 miliardë dollarë për ndihma humanitare për Sudanin këtë vit ishte financuar vetëm rreth 17 për qind, ndërsa kërkesa për afro 500 milionë dollarë për refugjatët që largoheshin nga vendi është financuar vetëm 15 për qind.

Muajin e kaluar, dy agjenci të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), kanë paralajmëruar edhe për rritje të krizës ushqimore, përfshirë rrezikun e vdekjes nga uria në Sudan, shkaku i luftës dhe në Haiti, Burkina Faso dhe Mali për shkak të kufizimeve në lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Malyar, tha se forcat…