Shembet ndërtesa në Nju-Jork, dy të vdekur, 17 të lënduar
Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 17 të tjerë kanë mbetur të plagosur pasi një ndërtesë në qytetin e Nju Jorkut u shemb në një kantier ndërtimi, kanë bërë të ditur autoritetet.
Ngjarja shkaktoi një operacion masiv kërkim-shpëtimi, ku më shumë se 250 efektivë të emergjencave u angazhuan në vendngjarje, në Bruklin, në përpjekje për të gjetur të mbijetuar që mund të kenë mbetur të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës trekatëshe.
Disa orë më vonë, pamjet ajrore treguan zjarrfikësit duke nxjerrë nga rrënojat një person të mbijetuar, të mbuluar nga pluhuri, i cili u transportua me barelë.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e shembjes së papritur, e cila ndodhi rreth orës 16:00 sipas kohës lokale të së mërkurës.
Drejtuesja e Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut (FDNY), Lillian Bonsignore, e cilësoi operacionin e shpëtimit si “jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Ajo shtoi se në ndërtesën e shembur, por edhe në kantierin e ndërtimit, kishte persona të bllokuar.
“Ekipet tona kanë punuar në mënyrë sistematike dhe nuk janë ndalur që nga mbërritja në vendngjarje këtë pasdite”, deklaroi Bonsignore.




