Sherri i ministrave të LDK-së për Anamoravën

12 shkurt 2020 | 12:39

Kushtrim Kadriu

Gjilani gjithnjë ia ka pa sherrin zyrtarëve të LDK-së, e së fundi po del se mund t’ia shohim sherrin edhe Lumir Abdixhikut, i cili posa hypi në kolltukun e ministrit e pezulloi projektin e autostradës Prishtinë- Gjilan-Dheu i Bardhë.
Ne si qytetarë nuk jemi të informuar se si ka vajtur ky proces dhe a ka qenë gjithçka në rregull me të apo jo, por ne, qytetarët e Gjilanit dhe bashkë me ne edhe qytetarët e Kamenicës dhe të Luginës jemi shumë të shqetësuar që ky projekt, i cili mund të jetë kah fundi, u pezullua.
Duke u nisur nga e kaluara dimë që të gjitha qeveritë kanë qenë si njerka për Gjilanin, e sidomos kur në to bënte pjesë edhe LDK-ja. Regjioni i Gjilanit lihej anash si mos më keq. LDK-ja ka bërë ministra edhe nga qyteti ynë, por përpos z. Fatmir Rexhepit që u largua faqebardhë (parakohe) nga pozita e tij, të tjerëve më shumë ua pamë sherrin se hajrin. Si për shembull kur shëndetësia drejtohej nga LDK-ja, Gjilani pati më së paku investime. Pastaj, mos ta harrojmë Skender Hysenin, ku si ministër i brendshëm bëri shkelje të të drejtave elementare ndaj luginasve që jetojnë në Kosovë (shumica në Gjilan) duke mos përfillur kërkesën tonë për ndryshimin e ligjit për nënshtetësi. Dhe, tamam kur më në fund nisi të investohej edhe Gjilan (nga qeveria e fundit Haradinaj), del ministri i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe e pezullon autostradën që e lidhë Prishtinën me Gjilanin, Kamenicën dhe Bujanocin, prej nga është prejardhja e tij. Ky veprim i ministrit Abdixhiku është shoku i radhës që regjioni ynë po e përjeton (e që është regjioni më i pazhvilluar në nivel republike), ngase po pengohet arteria e vetme që do të lidhte më shpejtë, mbi të gjitha Kosovën Lindore edhe ashtu të harruar si mos më keq. Logjikisht të lind pyetja: përse ministri juaj i atëhershëm nuk e pezulloi autostradën Prishtinë- Shkup, kur dihet se edhe ajo pati kushtuar një “djallë e gjysmë”? A po iu duket se e bëtë namin së investuari në regjionin e Gjilanit? Apo me të vërtetë, kaq pak ua ndien për Gjilanin dhe për Luginën, apo kaq shumë na urreni?
Mbetet të shohim edhe ndikimin politik të kryetarit të Gjilanin si nënkryetar i LDK- së (dhe si njeri që ma shumë është marrë me Prishtinën se me Gjilanin) në lidhje me këtë problem madhor. Na mbetet të shohim nëse kryetarit tonë ia varr dikush andej kah LDK-ja në qendër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Modelja e famshme, Khloe Kardashian ka tërhequr vëmendjen e mediave…