Shiten për 5 miliardë dollarë kompanitë “Yahoo” dhe “AoL”

04 maj 2021 | 14:16

“AoL” dhe “Yahoo” janë duke u shitur përsëri, këtë herë te një firmë private kapitali. Kompania “Verizon” do t’ia shesë për 5 miliardë dollarë firmës “Apollo Global Management” krahun e saj “Verizon Media”, që përbëhet nga platformat pioniere të teknologjisë.

“Verizon” tha të hënën se do të mbajë 10% të aksioneve në kompaninë e re, e cila do të quhet Yahoo. Yahoo në fund të shekullit të kaluar ishte fytyra e internetit, duke i paraprirë platformat teknologjike gjigante që ndoqën hapat e saj, si Google dhe Facebook.

Ndërsa AOL ishte portal kryesor në ditët e para të internetit. Verizon kishte shpresuar që të shfrytëzonte kompaninë AOL për të realizuar një hyrje të shpejtë në tregun e celularëve, duke shpenzuar më shumë se 4 miliardë dollarë për kompaninë në vitin 2015. Plani ishte që të përdorte platformën e reklamave të iniciuar nga AOL për të shitur reklama dixhitale. Dy vjet më vonë, shpenzoi edhe më shumë për të blerë kompaninë Yahoo dhe i bashkoi ato.

Megjithatë, shpejtësia me të cilën Google dhe Facebook u rritën shuajti shpresat dhe u bë e qartë shumë shpejt se nuk kishte gjasa të realizoheshin aspiratat e kompanisë Verizon për këto dy kompani.

Një vit pasi bleu kompaninë Yahoo, Verizon shënoi vlerën e operacionit të kombinuar, të quajtur “Oath”, në mbi 4.5 miliardë dollarë që kishte shpenzuar për të investuar në Yahoo.

Si pjesë e marrëveshjes së njoftuar të hënën, Verizon do të paguhet 4.25 miliardë dollarë në para, interesa të preferuar prej 750 milionë dollarësh dhe një sasi të vogël aksionesh. Transaksioni përfshinë pasuri të kompanisë Verizon Media, përfshirë markat dhe bizneset e saj si Yahoo dhe AOL.

Marrëveshja pritet të mbyllet në gjysmën e dytë të vitit.

Aksionet e kompanisë Verizon Communications Inc., me qendër në Nju Jork, u ngritën pak përpara hapjes së tregut të aksioneve./VOA/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se të mërkurën…