Shkaku i motit, shtyhet misioni i “SpaceX”

06 tetor 2020 | 11:59

Kompania amerikane e shërbimeve të transportit hapësinor me seli në Kaliforni, ka dështuar të hënën në përpjekjen e katërt për të dërguar 60 satelitë në hapësirë.

Dërgimi i këtyre satelitëve është pjesë e planit të diskutueshëm të Elon Musk dhe mbetet një projekt në zhvillim, me anë të së cilit pretendohet një sistem i ri i komunikimit në hapësirë që do të sjellë internetin më të shpejtë në tokë.

Në deklaratën e “SpaceX”, në “Twitter” u tha se “Për shkak të ndryshimeve të motit, ne hoqëm dorë nga misioni i sotëm Starlink. Por, ekipi po përgatitet për një mundësi të re për ngritje, nesër në orën 07:29 të mëngjesit, kur moti do të jetë 70 për qind i favorshëm.”

Lëshimi i ri që pritet të realizohet, do të jetë i trembëdhjeti me radhë dhe do të rris numrin e përgjithshëm të satelitëve Starlink që gjenden në orbitë në rreth 800, me mijëra të tjerë të planifikuar për 2021.

Kujtojmë se “SpaceX”  është themeluar në vitin 2002 nga Elon Musk, me qëllimin e parë për të ulur kostot e transportit hapësinor dhe për të mundësuar kolonizimin e Marsit. “SpaceX”, deri tani ka zhvilluar disa nisje në orbitë, si anijen e ngarkesave Dragon, fluturimin e parë me austronautë të NASA-së në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës të quajtur “Crew Dragon Demo-2”, si dhe konstelacionin satelitor Starlink.

Kundër këtyre përpjekjeve të kompanisë qëndron fuqishëm, Komuniteti i Astronomisë, i cili ka kritikuar rëndë konstelacionin satelitor, duke thënë se po ndërhyjnë në vëzhgimet që bëhen në hapësirë.

Në muajin gusht, qindra austronomë paralajmëruan se rrjeti i Starlink mund të jetë “jashtëzakonisht ndikues” në programet shkencore dhe të pengojë zbulimin dhe përparimin shkencor. Megjithatë, nuk duket se Elon Musk do të heqë dorë nga qëllimet e tij./tvklan.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci, është fjalosur me…