Shkatërrimi institucional kulturor nuk ndalet

10 janar 2019 | 11:48

Akademik Mehmet Kraja ka dhënë shumë intervista për mediume të ndryshme por, kam përshtypjen, nuk është përgjigjur askund më gjatë sesa për revistën “Akademia”.

Këtu ka dhënë përgjigje të menduara mirë dhe të shprehura qartë që nga procesi i krijimit të një vepre deri me rastin e promovimit të saj.

Kryesisht ka folur për romanet e veta, e sidomos për “Prishtinën”, të cilin, meqë e ka të fundit, e pëlqen më së shumti. Kraja shkruan letërsi sepse e ndien si frymëmarrjen. Dmth., s’do ta ndërpretë shkrimin asnjëherë derisa të jetojë.

Ka folur edhe për punët që ka bërë dikur në redaksi të medieve të shtypura, edhe për punën që bën në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Disa shkrimtarë dhe studiues i kritikon fort, disa të tjerë i mbron për arsyet që i jep në përgjigje. I sulmon edhe disa institucione kulturore dhe arsimore. Ndërkaq, disa juri letrare i quan “klane letrare”.

Për që shprehet kështu, akademik Kraja i ka arsyet e veta për to. Ato i keni në përgjigje. “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, të cilin s’ka lënë kush pa e kritikuar dhe pa e “kryqëzuar”, Kraja e quan veprën më të mirë kolektive. Së këndejmi, s’e mohon plagjiaturën në Akademi, po disa vetave ua jep këtë këshillë: “Nuk bëhet karriera letrare, as shkencore, duke bërë kujdestarin e gabimeve të të tjerëve”. Duke bërë krahasim të punës së këtyre institucioneve ndër vite dhe të drejtuesve të tyre, Kraja ka thënë se disa nga shkrimtarët më në zë kishin mbështetës politikë. S’po ju rrëfejmë më gjatë çfarë ka thënë më shumë për ta. Meqë dini shkrim dhe lexim, përgjigjet e tij i keni këtu. Lexojini!

Jetoni në kryeqytetin e Kosovës, në të cilin, më shumë se në cilindo qytet të saj, promovohet disi kultura dhe, po ashtu, disi arsimi dhe shkenca. Si ju duket veprimtaria kulturore, arsimore dhe shkencore që zhvillohet përreth jush, në seminare ndërkombëtare që organizojnë fakultetet, në konferenca shkencore të instituteve dhe të akademive?

Mehmet Kraja: E përmenda teatrin dhe ai është një episod, ndoshta më i pakëndshmi, por jo i vetmi. Në përgjithësi, institucionet tona kanë degraduar dhe nga dita në ditë bëhen gjithnjë e më keq. Shteti ndërtohet me institucione, këtë besoj se e kanë kuptuar të gjithë, ndërsa institucionet e kulturës, pavarësisht se nuk merren shumë në konsideratë, krijojnë identitetin e shtetit, dhe dinjitetin, natyrisht. Te ne, pas luftës, ndodhi një çrregullim i madh, një akulturim i tmerrshëm dhe një prirje vandaliste në institucionet e kulturës. Ne nuk arritëm të nisnim një lëvizje kulturore emancipuese, për të cilën kishim nevojë aq shumë, sepse kishim kaluar periudhën e rëndë të pushtimit dhe njerëzit, në përgjithësi, e kishin të domosdoshëm edukimin dhe emancipimin kulturor. Kjo nuk ndodhi. Tani vjelim pasojat. Me anë tjetër, gjatë periudhës së qeverisjes së ndërkombëtarëve, kultura kombëtare u konsiderua nacionaliste dhe me këtë frymë u edukua një gjeneratë e tërë e djemve dhe vajzave të UNMIK-ut, të cilët më pas morën në dorë OJQ-të dhe përgjithësisht të ashtuquajturën shoqëri civile. Ata volën fonde, duke kultivuar stereotipat e bashkim-vëllazërimit: bashkëjetesën midis komuniteteve, integrimin evropian si perde tymi për integrim në Serbi dhe mënjanimin kategorik të kulturës kombëtare. Tani UNMIK-u nuk është më, burimet e financimit janë shterë dhe shoqëria civile u është vërsulur institucioneve, përfshirë edhe ato të kulturës. Por ajo edukimin e ka marrë tek UNMIK-u. Ja një shembull si ka shkuar ky deformim, që sërish lidhet me teatrin: para disa vjetësh në Teatrin Kombëtar u zgjodh një bord, i cili, siç e thash, e quajti arritjen më të madhe mënjanimin e dramës origjinale nga skena. Ky bord bëri programin dhe në të përfshiu edhe “Tartufin” e Moilierit, me një regjisor rom nga Maqedonia. Fonde të konsiderueshme u morën nga Ministria e Kulturës dhe nga donatorë të ndryshëm, por shfaqja doli si “Koshtana” e Boro Stankoviqit. Në një tekst që shkrova me atë rast, unë e quajta “‘Tartufi’ i Vranjës”. Regjisori rom i periferive të Shkupit e bëri shfaqjen sipas formatit të tij kulturor, por ajo që doli si rezultat final, ishte hyrja e sërishme djallëzore e teatrit serb në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Unë e thash këtë publikisht dhe mora një “goditje të rëndë” nga shoqëria civile e Kosovës: më quajtën nacionalist racist dhe këputën edhe ca broçkulla të këtilla. Por ideatori i shfaqjes nga shoqëria civile, si me magji, u bë dramaturg i njohur, i financuar nga fondacione dhe OJQ me prapavijë krejtësisht joartistike dhe joteatrore. Tani, këta kalamaj të UNMIK-ut, të tillë që ka me shumicë në teatër, në artet figurative dhe në film, ndonjëherë edhe në letërsi, bredhin se nga bredhin dhe, kur u mbarohen paratë, kthehen në Kosovë që t’ia marrin komunitetit artistik edhe ato pak fonde që ua ndan buxheti i shtetit. Kjo ndodhi me Galerinë e Arteve, kur u rrënua një mur për të bërë një stallë dhe për të fyer një komunitet kulturor me një performancë krejtësisht joartistike. Ndërkohë, shkatërrimi institucional kulturor nuk ndalet. Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës shkatërrimi i fondeve të librit nga vjedhja sistematike dhe nga vërshimi i ujërave të zeza vazhdon që gati njëzet vjet. Në Institutin Albanologjik dhe në Institutin e Historisë shkencën e bëjnë njerëz të dëmshëm me paditurinë e tyre për shkencën dhe kulturën e këtij vendi. Dy institutet më prestigjioze të Kosovës bëjnë abuzime të mëdha me shkencën, duke u bërë çerdhe politike për njerëz me anime të rënda partiake. Abuzimet shkencore shkojnë deri në atë shkallë sa Instituti i Historisë, ta zëmë, boton libër shkencor bullgarisht me Prishtinën si vend i botimit. Tani ku mbetet të bëhet shkencë? Në Seminarin Ndërkombëtar janë vënë radhë burra dhe gra, të cilët nuk lënë të afrohet askush: vetë i bëjnë programet, vetë promovohen, vetë shpallën shkencëtarë me njohje ndërkombëtare, por në gjuhësinë albanologjike nuk kanë as rezultate minimale. Më parë sesionet shkencore të Seminarit i ndiqja rregullisht dhe në ndonjë rast kam marrë pjesë edhe me kumtesa për tema të ndryshme nga fusha e letërsisë. Para nja pesë vjetësh shkova për të dëgjuar se çfarë thuhej tani në këto tubime shkencore, sepse temë ishte romani. Mbeta i çmeritur: një studiuese fliste për romanet e E. Dones, një koleg i saj për romanin “Gjuetari i balonave” si model i paarritshëm i letërsisë shqipe. U ngrita dhe dola, me një mendje që kurrë më mos të kthehesha në atë vend. Pra, në përgjithësi një gjendje e trishtë. Por, mendoj unë, kulmi i marrëzisë kulturore në Kosovë është zhvendosja e Ministrisë së Kulturës në Prizren, një veprim pa asnjë argument kulturor, vetëm pse dikush ka edukim kulturor të gabuar dhe pandeh se xhamitë, kishat, themelet e një kalaje dhe ndonjë urë e vjetër e bëjnë vetvetiu këtë qytet qendër kulturore të Kosovës. Prizreni mund të jetë i rëndësishëm për promovimin e turizmit kulturor dhe asgjë më shumë, sepse qyteti jo vetëm që nuk ka institucione, por nuk ka as audiencë kulturore. Mungesa e një reagimi të komunitetit kulturor, në shumë raste, bën që vendimmarrësit politikë të ndihen komodë në të gjitha marrëzitë e tyre.

Një projekt i tillë do të duhej të nisej dhe të realizohej në Kosovë

Një tekst për historinë e letërsisë shqiptare, prej fillimit të saj e deri më tash, ende na mungon. Kur duhet të shkruhet kjo histori letërsie?

Mehmet Kraja: Letërsia shqipe, që të përfshihet në një histori, i ka të pazgjidhur dy probleme kryesore: ndarjet territoriale dhe ndarjet politike-ideologjike. Nëse do të shkruhej në Shqipëri kjo histori e letërsisë, letërsia e Kosovës e ka të sigurt se do të përfshihej në një formë të cunguar, sa nga mosnjohja, sa nga paternalizmi i ngulitur në atë anë të botës shqiptare. Pra, një projekt i tillë do të duhej të nisej dhe të realizohej në Kosovë, në të cilin, natyrisht, do të përfshiheshin edhe studiuesit e Shqipërisë. Por as në Kosovë nuk përballohen aq lehtë dallimet politike-ideologjike dhe të tjera, që kanë mes vete studiuesit tanë të letërsisë: janë problemet e metodës në rend të parë, por edhe të periodizimit. Disa vjet më parë, pas vitit 2000, në Akademi, kur unë ende nuk kam qenë anëtar, ishte mbledhur një grup iniciues për ta hartuar elaboratin e një projekti të historisë së letërsisë shqipe, por ata që e përbënin grupin nuk kishin arritur të merreshin vesh. Tani unë mendoj se, pa u tejkaluar një konflikt i filluar herët në fushën e studimeve letrare, nuk mund të bëhet gjë në këtë drejtim. Mendoj se duhet pritur edhe një kohë, por më vonë ekziston rreziku që mos të gjenden aq studiues seriozë të kësaj fushe të cilët do të mund t’i bënin ballë një projekti të këtillë.

Disa nga shkrimtarët më në zë kishin mbështetës politikë

Cila periudhë e letërsisë shqipe, cilët shkrimtarë dhe cilat vepra ju kanë lënë mbresa më të mëdha? Me këtë rast, me shkas po jua kujtojmë një shkrim që e patët botuar në gazetën “Express”, në të cilin letërsinë shqipe e patët trajtuar ashpër dhe rreptë. Edhe disa shkrimtarë aty (Konicën dhe Nolin) i patët quajtur përçarës.

Mehmet Kraja:Herë pas here kam bërë ndonjë shkrim për çështje të ndryshme rreth letërsisë shqipe, por nuk më kujtohet ta kem trajtuar atë me ashpërsi. E vërteta është se historia e letërsisë shqipe është histori glorifikimesh, histori mburrjesh dhe analizash pozitiviste. Historianët e letërsisë, ta zëmë, ua kanë dhënë hakun shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, duke i quajtur veprat e tyre letërsi biblike, ose bejtexhinjve, por nuk janë bërë analiza serioze sa i përket letërsisë së Rilindjes dhe pas saj, ta zëmë, marrjet arbëreshe nga letërsia italiane, apo marrjet e Naimit nga letërsia perse, ose të Fishtës nga letërsia popullore. Edhe më të pakta janë analizat e marrëdhënieve të ndërvetshme të shkrimtarëve. Merreni vetëm një detaj: marrëdhëniet e Konicës me Apolinerin që te ne janë glorifikuar dhe u janë thurë lëvdata të marra, në një kohë që Konica nuk i përmend kurrë këto marrëdhënie. A thua, pse? Thjesht, sepse shkonin përtej miqësisë letrare. Ose marrëdhëniet e Konicës me Nolin ishin të tmerrshme, përçarëse dhe armiqësore deri në atë shkallë sa Konica, kur Noli kërkon ndihmë nga shteti shqiptar për mjekim, ai, në cilësinë e ambasadorit që jetonte në hotel dhe bënte jetë luksi, shprehet kundër ndihmës. Të mos harrohet se Konica, pas pushtimit italian të Shqipërisë, ia dorëzoi ambasadorit italian në Uashington vulat dhe kredencialet e ambasadës së vet, me marrëveshjen për t’ia shlyer borxhet. Pastaj marrëdhëniet e këtyre shkrimtarëve me pushtetet dhe ideologjitë janë shumë problematike, ndonjëherë marrëzisht të idealizuara. Si thoni ju, pse De Rada dhe arbëreshët e tjerë gëzuan mbështetjen e Italisë pa ndonjë prapavijë? Ata, për gati një shekull, ishin pararojë e interesave italiane në këtë anë të Adriatikut. Por, nga më joparimorët është Konica, ndërsa Noli, po e shikuat mirë, del prift komunist, i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse. Po Fishta dhe fashizmi? Ende më të ngatërruara dalin marrëdhëniet e Naimit dhe të Samiut me Perandorinë Otomane: që të dy ishin të besuar të shtetit, ndërsa Naimi ishte censor. Edhe marrëdhëniet e disa shkrimtarëve me pushtetin në kohën e Zogut dalin jashtëzakonisht “të papërshtatshme”. Me anë tjetër, ne tani e lavdërojmë shpesh Ernest Koliqin për punën që ka bërë si ministër i Arsimit në kohën e fashizmit, me hapjen e shkollave në Kosovë, ndërsa harrojmë se ai këtë e bëri si ministër kuisling dhe se, po të jetë për punë shkollash, më shumë merita kanë ata që në kohën e ish-Jugosllavisë në Kosovë hapën Universitetin sesa ai që hapi ca shkolla fillore. Pra, dua të them se historia jonë e letërsisë ose nuk duhet të merret me detaje të biografive të shkrimtarëve ose, nëse merret, duhet t’i thotë të gjitha, pa idealizuar dhe pa glorifikuar asgjë. Kjo vlen edhe për letërsinë e Kosovës në periudhën e ish-Jugosllavisë. Shumica e shkrimtarëve tanë të kësaj periudhe del se ishin të angazhuar pozitivisht sa i përket çështjes kombëtare, por duhet ditur se midis tyre kishte shkrimtarë të mirë dhe shërbëtorë të pushtetit, siç kishte shkrimtarë të dobët dhe të përndjekur politikë. Disa nga shkrimtarët më në zë kishin mbështetës politikë, madje deri në shkallën e mecenëve. Unë nuk i kam harruar ngritjet e tyre si me levë në pushtet dhe në karrierë letrare. Ju të gjeneratës së re nuk e dini se kush bëhej drejtor tre mandate si askush tjetër në Jugosllavi me ndihmën e Fadil Hoxhës, kush merrte grada shkencore dhe punësohej në Universitet me ndihmën e Mahmut Bakallit, kush gëzonte status të privilegjuar në Institutin Albanologjik me mbështetjen e Ismajl Bajrës, dikush tjetër të Sinan Hasanit ose të Dushko Ristiqit, ca të tjerë bënin shkencën e historisë me mbështetjen e Ali Shukrsë, sekush zinte pozita në “Rilindje” ose në Universitet me ndihmën e Xhavit Nimanit, madje edhe të Rrahman Dedajt ose të Azem Vllasit, e kështu me radhë, shumica duke bërë jetë paralele dhe me dy morale: në njërën anë angazhime patriotike, në anën tjetër duke i shërbyer pushtetit dhe duke e shitur shpirtin për dy aspra. Ta zëmë, si bëhet që një i tillë që fuste njerëz në burg sa ishte në Radiotelevizionin e Prishtinës, tani me emrin e tij pagëzohen rrugë dhe magjistrale? Marrë në përgjithësi, shikuar nga kjo perspektivë, nga njëra anë, si askujt tjetër, na kërcënohet seriozisht një humbje e pakthyeshme e kujtesës kolektive; me anë tjetër shpesh them me vete: duke qenë shoqëri që bënte jetë gjysmëpublike dhe gjysmëklandestine, duhet të jemi të lumtur që nuk i kemi dosjet!

Përkthimi është ngatërruar keq

Letërsia e huaj po vjen në shqipe shpejt, kryesisht nga botuesit e Shqipërisë, ndërkaq letërsia shqipe po depërton jashtë shumë pak. Është letërsi e varfër tematikisht dhe stilistikisht, apo çfarë po ndodh? Mund të na përmendi shkaqet?

Mehmet Kraja: Letërsia shqipe, marrë në përgjithësi, duke marrë për bazë veprat e shkrimtarëve më të mirë, është letërsi cilësore. Unë lexoj mjaftueshëm sa për të bërë krahasime, vetëm se ka një problem: nga letërsia shqipe, pas Kadaresë, janë përkthyer vepra jocilësore, kështu që është krijuar përshtypja se pas këtij autori këtu është një shkretëtirë. Këtë e kanë bërë përkthyesit pa shije letrare të letërsisë shqipe, të cilët kanë krijuar një imazh të keq për të. Po këta përkthyes, duke mos njohur mirë gjuhën shqipe dhe gjuhën në të cilën përkthejnë, kanë marrë për përkthim veprat e shkruara dobët, sepse ato përkthehen më lehtë, nga se gjuha e tyre është e thjeshtë, shpesh vulgare. Njohje vulgare të gjuhës shqipe kanë edhe shumica e atyre që sot pretendojnë të përkthejnë në ndonjë gjuhë tjetër. Ndërkaq, përkthimi në shqip nga gjuhët e tjera është ngatërruar keq: ka përkthime të mira, por ndodh të botohen edhe vepra që nuk e kanë as minimumin e vlerës. Në Kosovë kemi pasur një traditë përkthimi, ashtu siç ishte, por tani nuk ekziston më. Përkthyes të rinj në Kosovë nuk gjenden, sepse nuk ka më audiencë letrare dhe nuk ka botues që i mbështet.

Nuk bëhet karriera letrare, as shkencore, duke bërë kujdestarin e gabimeve të të tjerëve

Jeni anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK) që shumë vjet. Para po dhe pas jush janë bërë anëtarë Akademie edhe disa studiues të tjerë, puna studimore dhe eseistike e të cilëve konsiderohet e dyshimtë, pasi disa kritikë dhe studiues kanë vënë re plagjiaturë në librat e tyre dhe i kanë publikuar në media. Çfarë mund të na thoni për këtë rast?

Mehmet Kraja: Çështja e plagjiaturave nuk e prek vetëm Akademinë dhe jo vetëm Universitetin, por mbarë shkrimin shqip, që nga letërsia e deri te shkenca, titujt dhe hartimet shkencore të të gjitha fushave. Madje ky është bërë problem botëror. Është bërë problem edhe në mësimdhënie, edhe në edukim. Nëpër shtyllat dhe pemët përreth Universitetit ngjiten afishe në të cilat shkruhet: Bëjmë tema diplome dhe për master, dhe poshtë janë shkruar numrat e telefonave të atyre që i përgatitin. Kjo është njësoj sikur dikush të shkruante në një shpallje: Bëjmë prostitucion, dhe më poshtë ta shkruante numrin e telefonit. Pra, puna e shkencës te ne ka degraduar shumë. Përhapja e madhe e internetit ka bërë që qarkullimi i ideve të mos ndiqet më. Megjithatë, ekziston një minimum rregulli dhe morali edhe në këtë mes. Para tre-katër vjetësh, kur u bë ligji i ri për Akademinë dhe u nxorën aktet e tjera normative, unë kërkova që disa çështje ta marrin përgjigjen adekuate edhe me normat ligjore dhe statutare. Nuk u pranua. Tani puna e plagjiaturave është çështje e moralit publik të secilit anëtar veç e veç. Me anë tjetër, dua të them se edhe ata që merren me punët e plagjiaturave duhet të jenë pak më seriozë dhe më të besueshëm: nuk bëhet karriera letrare, as shkencore, duke bërë kujdestarin e gabimeve ose të shkarjeve që bëjnë të tjerët, qofshin ata edhe akademikë; duhet të bësh edhe vetë një punë që ia vlen, që të kesh të drejtë morale t’ua nxish ymrin të tjerëve, duke ua mbajtur mbi kokë gabimet ose dështimet.

Medice, cura te ipsum, thoshin romakët

A keni mbajtur ndonjë mbledhje për ta diskutuar plagjiaturën në tekstet e tyre dhe a u është tërhequr vërejtja ndonjëherë atyre nga organi i AShAK-ut me ndonjë vendim ose a është marrë për ta masë disiplinore?

Mehmet Kraja: Pyetjes do t’i përgjigjem me pyetje: ju në Bibliotekën Kombëtare a keni mbajtur ndonjë mbledhje në të cilën do të diskutonit publikisht për projektin e bibliografisë së librit shqip në Kosovë dhe ish-Jugosllavi, të cilën e ka hartuar Tahir Foniqi, ndërsa sekush përpiqet t’ia tjetërsojë autorësinë? Apo, a keni mbajtur mbledhje dhe a keni diskutuar publikisht zhbërjen e fondeve librare në Bibliotekë? Apo projektin e dështuar të Bibliotekës Universitare?

Medice, cura te ipsum, thoshin romakët.

Në Akademi kanë hyrë njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty

Po, kemi mbajtur mbledhje, kemi diskutuar dhe, ka ndonjë punëtor si puna ime, për shembull, ose si djali i Tahir Foniqit e ndonjë tjetër që po pret ta përfundojë Biblioteka atë projekt dhe ta publikojë atë bibliografi dhe ne ta padisim institucionin dhe kryeredaktorin në gjykatë për shkelje të të drejtave të autorit. Por, derisa ta kryejë Biblioteka këtë projekt, le të diskutojmë pak edhe për akademikët e rinj. Kohën e fundit u bënë anëtarë Akademie edhe disa studiues të rinj nga fusha të ndryshme të artit dhe të shkencës. S’po kërkojmë të dimë nëse keni votuar për t’u bërë ata akademikë dhe nëse e kanë merituar bërjen akademikë, por dua të dimë kush do të duhej të bëhej para tyre, sipas jush?

Mehmet Kraja: Për Akademinë unë jam më kritik se të gjithë ju që jeni kritikë për institucionet ku punoni. Ju e dini shumë mirë se kjo ka çmimin e vet, të cilin unë e paguaj në vazhdimësi. Po, është e vërtetë se në Akademi kanë hyrë njerëz që nuk e meritojnë të jenë aty, madje të tillët lavdërohen më shumë se ata që bëjnë një punë me vlerë. Por kjo është shoqëria jonë, e cila nuk di të vlerësojë, sepse vetë është e përfshirë në një sjellje rrethore jovlerash dhe vanitetesh. Së këndejmi, prurjet jocilësore në Akademi janë të lidhura ngushtësisht me punën e keqe të institucioneve shkencore dhe kulturore të Kosovës dhe nuk varen vetëm nga Akademia. Sido që të jetë, në dhjetë vjetët e fundit, me dy pranimet radhazi, punët kanë shkuar më keq se çdo herë tjetër. Brenda Akademisë janë formuar grupe interesi, klane, banda, quani si të doni, si në çdo institucion tjetër. Këto klane sundohen dhe manipulohen nga individë të caktuar. Ndonjëherë edhe ata nga jashtë që ngrenë zërin kundër Akademisë nuk synojnë gjë tjetër përveçse të futen brenda dhe ta marrin sundimin e saj. Pse, çfarë do të bënin tjetër, ta zëmë, ata të Institutit Albanologjik përveçse një klan do ta zëvendësonin me një klan tjetër. Por edhe në këtë sjellje rrethore primitivizmash do të duhej të kishte një minimum morali: nuk mund të bëhet anëtar Akademie dikush që ka botuar vetëm një libër dhe vetëm disertacionin para 30 vjetësh, pastaj në krah të tij vjen një manipulator tjetër nga fusha e shkencave shoqërore, pastaj dikush që nuk ka bërë asgjë në fushën e shkencës albanologjike, pastaj një tjetër nga fusha e shkencave të mjekësisë dhe një i katërt nga fusha e arteve. Dhe kështu, pak nga pak, ata fillojnë ta bëjnë shumicën dhe, natyrisht, mbrojnë interesat e njëri-tjetrit. Kjo situatë në Akademi është dëshpëruese edhe për një arsye tjetër: vendimet aty janë të pakorrigjueshme dhe të pakthyeshme.

Fjalori Enciklopedik i Kosovës është vepra më e mirë kolektive

“Fjalori enciklopedik i Kosovës”, dyvëllimësh, me pamje të zezë dhe me shkronja ari, doli nga shtypi këtë vit. U tha çdo e zezë për të sapo doli në dritë. U tha dhe u shkrua se as nuk është fjalor, as nuk është enciklopedik; po se është “fjalor antikombëtar”, “përçarës”, “familjar”, që fsheh historinë e re dhe të vjetër të Kosovës, që ka pasaktësi dhe të meta të shumta. Prej botimit të tij e deri më tash keni shkruar vetëm një shkrim në vend të arsyetimit. Pse u botua ai fjalor ashtu, me gjithë ato gabime?!

Mehmet Kraja: E kam thënë edhe një herë tjetër, tani vetëm po e përsëris: Fjalori Enciklopedik i Kosovës është vepra më e mirë kolektive e botuar në gjuhën shqipe. Euforia e kritikave dhe insinuatave për Fjalorin Enciklopedik të Kosovës flet për një shoqëri dhe ambient kulturor që është mësuar të jetojë në iluzione për vlerat e veta dhe nuk pranon t’i bëhet një vlerësim institucional, aq më pak nga Akademia, të cilën sekush më parë se tjetri shpejton ta nxijë dhe ta damkosë. Ky është problemi i parë. E dyta ka të bëjë me gabimet reale, që mund të ketë një botim i këtillë, me 1 818 faqe të formatit të madh dhe me shkronja të vogla, me rreth 6 000 zëra, me 24 redaksi, me 72 anëtarë redaksish dhe me 506 autorë tekstesh.

Megjithatë, duhet të them menjëherë, se kualifikimi i Fjalorit si antikombëtar është më i shpifuri prej krejt kualifikimeve të tjera, sepse është etiketë, është damkë që mund t’i vihet kujtdo, pa pasur nevojë të argumentohet. Po pse me kaq ngutje iu vu kjo damkë Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, nga ndonjë individ që prej kohësh e ka marrë përsipër punën e vështirë të presë bileta “kombëtare” ose “antikombëtare” për parajsë ose për ferr? Pse pa e shfletuar ende, pa parë përmbajtjen, pa gjetur tamam asnjë gabim? Sepse kualifikimet e këtilla bëhen pikërisht kështu, me zhurmë, me fjalë të mëdha, pa argumente. Megjithatë, siç mund të merret me mend, arsye për një faj të këtillë mund të jetë pse Fjalori Enciklopedik i Kosovës e paska ndarë Kosovën nga Shqipëria dhe pse ky botim nuk e paska lënë Fjalorin Enciklopedik Shqiptar ta ruajë monopolin e tij edhe në Kosovë. Lidhur me ndarjen e Kosovës si entitet më vete, në parathënie është shkruar: “Botimi i këtij Fjalori, përveç që përmbush nevojat për një shfrytëzim të gjerë nga lexues të ndryshëm, njëkohësisht krijon bazën e të dhënave për Kosovën si entitet i mëvetësishëm politik, gjeografik, ekonomik dhe kulturor, por duke mbajtur në vëmendje se Kosova është pjesë e një tërësie më të gjerë historike dhe kulturore shqiptare dhe se ndarjet në këtë drejtim, pavarësisht nëse janë të përkohshme ose të qëndrueshme, gjithnjë janë artificiale dhe të panatyrshme”. Dhe më tej: “Përfshirja e ndarë e Kosovës në këtë lëndë enciklopedike nuk paragjykon qëndrueshmërinë e zgjidhjeve politike, as aktuale e as të pritshme. Ndarja e Kosovës nga tërësia historike dhe kulturore shqiptare në këtë rast është bërë për arsye praktike dhe, duke anashkaluar çdo interpretim me prapavijë, synon të konsolidojë dijet për botën shqiptare dhe ta plotësojë informacionin për të, kudo që ai mund të përfshihet dhe të përdoret”. Çfarë sekreti antikombëtar paska këtu? Fjalori nuk e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, nuk ia bëri Kushtetutën, Parlamentin, Qeverinë, Flamurin, Himnin, kufijtë etj. Nuk vendosi ky fjalor që Kosova të mos bashkohet me Shqipërinë, sikundër që nuk do të vendosë nëse Kosova do të mbetet e tërë, apo do të ndahet sipas ideve “kombëtare” të rrënuesve të integritetit të saj. Atributet e këtilla “antikombëtare” për Fjalorin janë alibi për të mos u përballur me asnjë argument. Me anë tjetër, Fjalori Enciklopedik Shqiptar nuk i plotëson as kriteret minimale për të qenë edhe “i Kosovës”, pra mbarëshqiptar, sepse në përfshirjen e zërave nga Kosova ka zbatuar kritere krejtësisht të paqëndrueshme dhe joprofesionale. Nga rreth 8 000 zëra sa ka Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vetëm rreth 10 % i kushtohen Kosovës. Ja një shembull i trajtimit të pabarabartë të Kosovës: komunat janë njësitë më të vogla administrative që janë përfshirë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por komunat në Shqipëri dhe komunat në Kosovë nuk kanë asnjë mundësi krahasimi (komuna në Shqipëri është e barabartë me bashkësinë lokale në Kosovë). Sido që të jetë, Fjalori Enciklopedik i Kosovës nuk është bërë për t’iu kundërvënë as për ta mohuar Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, por për ta plotësuar atë dhe për të qëndruar pranë tij. Po ashtu, duhet të them se të pakënaqur me Fjalorin janë disa prej anëtarëve të Akademisë sepse janë mësuar që biografitë e veta t’i prezantojnë në publik “pa redakturë”, që domethënë me plot vetëmburrje dhe pasaktësi. Ndërkohë, në ditën e promovimit, në mbrëmje, KTV-ja nxori në ekranin e vet një përgojim të pashembullt: nga dy eksponentë të OJQ-ve u tha se Fjalori nuk vlente as dy grosh, ndonëse asnjëri, as moderatori i emisionit dhe as dy personat në studio, ende nuk e kishin parë me sy botimin. Pas këtij emisioni filloi “ndjekja e shtrigave”: secili gazetar që nuk ishte i përfshirë në Fjalor (disa prej të cilëve e them me bindje se kurrë nuk do të bëhen gazetarë), ia filluan fushatës antikulturore për Fjalorin: Klan-Kosova, RTK-ja, KTV-ja, T7 etj. Pra, situata ishte e qartë: Unë kisha bërë një herezi të tmerrshme: kisha marrë guximin të mos i përfshija të gjithë gazetarët e të gjitha redaksive (mbi një mijë sish), e kjo do të thotë se kisha hyrë ne çerdhen e grerëzave i pambrojtur. Dhe kështu pasuan kronikat një pas një dhe deklaratat e të pakënaqurve. Por cilat janë gabimet reale të evidencuara deri tani në opinion:

  1. Mungon Bajram Rexhepi (përgjegjëse redaksia e fushës politike-juridike: Blerim Reka, Osman Ismajli, Ilir Dugolli);
  2. Viti i lindjes i gabuar për Ibrahim Rugovën (përgjegjës autori i tekstit: Blerim Reka);
  3. Mungon Luljeta Pula-Beqiri (përgjegjëse redaksia e fushës politike-juridike);
  4. Mungojnë gazetat “Bota e re”, “Zëri i Kosovës” dhe “Epoka e re” (përgjegjëse redaksia e fushës së informimit: Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Rrahman Paçarizi);
  5. Emri i gabuar i Rexhep Murtez Shalës në legjendën e fotografisë (përgjegjës autori i tekstit: Agron Gashi);
  6. Datë e gabuar në tekstin për Frang Bardhin, në vend 1743 duhet 1643 (përgjegjës autori i tekstit: Rexhep Ismajli);
  7. Biografia me të dhëna të gabuara e Jakup Cerajës (përgjegjës autori i tekstit: Kujtim Rrahmani);
  8. Fshati Vërban i komunës së Vitisë duhet të jetë Vërboc i komunës së Kllokotit (përgjegjës kryeredaktori, pra unë, sepse kam pranuar ndërhyrjen e lektorit të fundit të tekstit, Shefqet Rizës).

Këto janë tetë “zbulimet e mëdha” të gabimeve në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës! Besoj dhe është krejt e natyrshme të ketë edhe më shumë, por kaq gabime të pranueshme janë evidencuar deri tani. Nuk konsiderohen gabime dhe nuk do të merren në konsideratë as nga kryeredaktori dhe as nga Redaksia Qendrore mospërfshirja e disa aktivistëve të LDK-së, të cilët pretendohet se janë bërë heronj vetëm për shkak të aktit kriminal të vrasjes së tyre. Ndërkaq, pretendimet janë nga më të ndryshmet, jo vetëm të pambështetura, por edhe joserioze, kështu që një numër syresh as nuk ia vlen të shqyrtohen e të diskutohen.

Më mungojnë Ali Podrimja dhe Basri Çapriqi

 Sigurisht ende i ruani në celular ose në notes numrat e celularëve të miqve që tashmë kanë ndërruar jetë. Kush prej tyre ju mungon më së shumti?

Mehmet Kraja: Po, dy syresh më mungojnë shumë: Ali Podrimja dhe Basri Çapriqi. Numrat e tyre të telefonit ende i kam në celularin tim.

Prishtina në romanin “Prishtina” është qytet metaforë

Para disa ditësh botuat romanin “Prishtina”. Një fragment të tij, goxha të gjatë, e kam lexuar në numrin e dytë të kësaj reviste për të cilën po realizojmë intervistën. Pa dyshim, ky roman ka materiale të mira për t’u bërë disa filma të shkurtër për luftën dhe pasluftën, edhe një film të gjatë me disa sekuenca të luftës së Kosovës. Sikur thotë edhe titulli, ngjarjet e tij ndodhin në Prishtinë. Po sa janë reale ngjarjet e “Prishtinës”?

Mehmet Kraja: Romani doli në Panairin e Librit në Tiranë, është nëpër librari, në duart e ndonjë lexuesi dhe tani le ta vlerësojë secili sipas shijes së vet. Sa iu përket filmave të gjatë apo të shkurtër, nuk është një gjë që më intereson në mënyrë specifike, sikundër që nuk ka shumë rëndësi nëse ngjarjet e përfshira në këtë rrëfim janë reale apo të imagjinuara. Si në të gjitha rrëfimet letrare, si në çdo vepër letrare që nga antika e deri më sot, ato janë të mundshme dhe të besueshme, pra kanë besueshmëri artistike. Ky është çelësi i rrëfimit në çdo roman, në çdo dramë, në çdo film, në të gjitha artet narrative. Zhvillimet në romanin “Prishtina” mund të kenë më shumë ngjashmëri me atë që kemi përjetuar të gjithë ne menjëherë pas vitit 1999, me t’u kthyer në Prishtinën e çliruar nga trupat e NATO-s. Por, duke qenë shkrimtar dhe duke qenë i pajisur me një imagjinatë krijuese, rrëfimi im në romanin “Prishtina” shkon një hap më tej nga ajo që kanë mundur të përjetojnë njerëzit në një rrethanë të këtillë: përveç që ka përshkrime ndoshta të ndiera, ku mund të hyjnë edhe situata reale dhe njerëz realë, ka më shumë se në çdo vepër timen ndjenjë dhe mendim. Me anë tjetër, Prishtina në këtë roman është qytet metaforë, kurse unë në asnjë rrethanë nuk bëj deshifrimin e metaforave, as në librat e mi, as në librat e të tjerëve. E kam ves që nga koha e komunizmit, kur deshifrimi i metaforave mund të ishte shumë i papëlqyeshëm!

Intervistoi: Berat Armagedoni

 (Intervista, për gazetën “Epoka e re”, është marrë nga numri i katërt i revistës “Akademia”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë (MAShT), Shyqiri…